TIRANË, 11 korrik/ATSH-A. Fortuzi/- Për të udhëtuar drejt Shqipërisë kufiri është i hapur për të gjithë shtetasit e huaj apo shqiptarë, sipas rregullave në fuqi, ndërkohë udhëtimi nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit, vetëm me Kosovën e Maqedoninë e Veriut është i lirë.
Policia e Shtetit njofton se situata e kufizimeve të lëvizjes së shtetasve në kufi, paraqitet e ndryshme në varësi të rregullave të vendosura nga vendet tjera.
Sipas njoftimit të Policisë, me Kosovën lëvizja e personave dhe e mjeteve është e lirë; me Malin e Zi mund të lëvizin vetëm personat që posedojnë një dokument të lëshuar nga laboratorët e akredituar të testimit të COVID-19, jo më shumë se 48 orë më parë, ku vërtetohet se rezultojnë negativ në testin PCR.
Me Maqedoninë e Veriut lëvizja e personave dhe e mjeteve është e lirë; me Greqinë lejohet kalimi për shtetasit e pajisur me leje qëndrimi dhe ata të pajisur me pasaporta greke, kamionë dhe për rastet të autorizuara nga autoritetet shtetërore greke; me vendet e tjera të zonës Schengen nuk lejohet lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë, përveç rasteve të konfirmuara nga autoritetet e këtyre vendeve. Për të udhëtuar drejt Shqipërisë kufiri është i hapur për të gjithë shtetasit e huaj apo shqiptarë, sipas rregullave në fuqi.
ATSH