ATSH/Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka informuar se dixhitalizimi i shëndetësisë po vijon ndërsa sipas tyre po rritet edhe cilësia e shërbimit në këtë sektor.
Pas integrimit për herë të parë të 4 sistemeve eRx, eReferim, eVizita, së shpejti do të vihet në dispozicion edhe e-depo.
‘Së shpejti nis implementimi i sistemit të ri e-Depo. Përmbyllim ciklin e qarkullimit të barnave me rimbursim në vend, gjurmimin e tyre nga momenti i hyrjes në treg deri në shportën e konsumit nga pacienti. Shëndeti juaj, prioriteti ynë’, informojnë specialistët e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Më herët, u lehtësuan edhe procedurat për pacientët që trajtohen me barna me rimbursim pranë farmacisë së QSUT-së, përmes konsultave nëpërmjet telemjekësisë.
Pacientët që trajtohen me barna të rimburësueshme janë nën kujdesin e mjekut specialist rajonal/bashkiak për çdo shfaqje të efekteve anësore që mund të vërehen dhe në kontakt të vazhdueshëm apo edhe monitorim nga mjeku i përgjithshëm dhe i familjes.
Ndërkaq, farmacia spitalore përgatit barnat me rimbursim sipas recetave të printuara nga sistemi eRx sipas rajoneve përkatëse për operatorin e shpërndarësit farmaceutik. Operatori shpërndarës farmaceutik realizon tërheqjen e barnave me rimbursim sipas rajoneve. Operatori shpërndarës farmaceutik siguron po ashtu edhe shpërndarjen dhe dorëzimin e barnave për kategoritë e pacientëve të vetmuar, mbi 65 vjeç. z.tosku//a.a/