ATSH/ Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka shprehur gatishmërinë e Forcave të Armatosura për t’ju qëndruar pranë qytetarëve që qëndrojnë në radhë të gjata për të kaluar kufirin në Greqi dhe informon se këto janë masa të diktuara për parandalimin e COVID-19, nga një shtet tjetër.
“Forcat e Armatosura vijojnë të qëndrojnë në Kakavijë për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari që qëndron në radhë për të kaluar kufirin në Greqi, por gjithësecili duhet të jetë i ndërgjegjshëm që këto janë masa të diktuara për parandalimin e COVID-19, nga një shtet tjetër”- shprehet Xhaçka.
Ministrja bën të ditur se, numri i qytetarëve që lejohet të kalojnë është mjaft i kufizuar dhe kalimi i të gjithë atyre që janë aktualisht në radhë fatkeqësisht është i pamundur.
“Ndaj, bëjmë thirrje që jo vetëm qytetarët e tjerë të mos drejtohen drejt pikave kufitare me Greqinë, por edhe ata që presin në radhë të kthehen në banesat e e tyre, deri në normalizimin e situatës”- thekson Xhaçka.