Këtu hyjnë jo vetëm shtëpitë e ndërtuara gjatë kohës së komunizmit, por ky proces përfshin shtëpitë e ndërtuara që nga koha otamane dhe ajo e Zogut. Veçanërisht, numri më i madh i tyre gjendet në qytetet historike si Gjirokastra, Berati, Kruja, Korça, etj, ku objektet i kanë mbijetuar kohës dhe i janë nënshtruar procesit të certifikimit.

Drejtori i Kadastrës, Artan Lame së bashku me drejtorin rajonal te Gjirokastrës Florjan Taçi, kanë dorëzuar certifikatat e pronësisë për rreth 80 banesa të këtyre kategorive.
Gjirokastra si qytet historik, e mbart shumë këtë kategori, të shoqëruar edhe me problematika të pafundme të trashëguara, si mungesa e dokumentacionit historik, djegia e Kadastrës në vitin 1997, mosmarrëveshjet midis trashëgimtarëve, etj.

“Mjafton të themi këtu që midis banesave të certifikuara ka edhe të atilla me mbi 20 bashkëpronarë. Është i kuptueshëm durimi që duhet të ketë Kadastra në trajtimin e këtyre rasteve”, është shprehur Lame.

Kësaj i shtohet edhe rasti që siç diskutoi një prej banorëve gjatë takimit, duke thënë që të vetmet dokumente që kishte për banesën ishin të kohës së Luftës së Jemenit të vitit 1892.

Lame me humor tha se “pasi bëmë legalizimet e kohës së Saliut, tani po regjistrojmë edhe shtëpitë e kohës së sulltan Abdyl Hamidit”!

Në fund Lame tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve në përdorimin e e-albania-s. /