TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) po vijon kontrollin në të gjitha subjektet tregtare për garantimin e sigurisë së produkteve për konsumatorët.

ISHMT bën të ditur se një fokus i veçantë po i kushtohet inspektimit metrologjik.

“Në fokus të punës është mbikëqyrja në terren te subjektet prodhuese dhe tregtuese të bukës për kontrollin mbi konformitetin e instrumenteve matës ligjërisht të kontrolluara, të njohura si peshoret”, bën të ditur ISHMT.

ISHMT kujton se afishimi dhe dhënia në mënyrë shteruese e informacionit mbi çmimin e bukës janë detyrim ligjor.

Sipas ISHMT-së, ky inspektim garanton hedhjen në treg dhe përdorimin e instrumenteve matës që plotësojnë kriteret teknike dhe metrologjike. Subjektet përdorues të instrumenteve matës ligjërisht të kontrolluar duhet të plotësojnë detyrimet ligjore në fuqi.

Të gjitha subjektet prodhuese dhe tregtuese të bukës dhe produkteve të tjera të brumit kanë detyrim ligjor të afishojnë në mënyrë të dukshme dhe të saktë çmimin për njësi (kg) për të gjitha llojet e produkteve të cilat nuk tregtohen të paketuara, si dhe të përdorin instrumentin matës sipas parashikimeve ligjore, në prani të konsumatorit, me qëllim përcaktimin e vlerës për produktin e zgjedhur nga konsumatori, sipas peshës përkatëse.

Në rast të mos respektimit të këtyre detyrimeve, ISHMT vendos masa administrative për çdo subjekt të gjetur në shkelje. “Çmimi për njësi” është çmimi përfundimtar, përfshirë të gjitha taksat dhe TVSH.

Krahas informimi të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre për të pasur produkte, pajisje apo instalime të sigurta, ISHMT thotë se po punon edhe për rritjen e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë mbi kriteret ligjore që duhet të zbatojnë në fushën e sigurisë së produkteve joushqimore, pronësisë intelektuale si dhe të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre.