ATSH-Maela Marini/ “Hapja e listave nuk duhet të rrezikojë një arritje për të cilën unë jam krenar dhe Partia Socialiste është lokomotiva e kësaj beteje, përfshirjen dhe përfaqësimin e grave në Kuvend”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se “formulat dhe çështjet teknike do të diskutohen, por për ne, e kam shprehur edhe më parë, hapja e listave nuk është një tabu”.

“Ambicia jonë, që përkon me nevojën e publikut dhe me interesin e përgjithshëm të vendit ka qenë e shprehur vazhdimisht edhe nga unë personalisht. Depolitizimi i administratës zgjedhore, një rekomandim kyç i përsëritur në dekada nga OSBE/ODIHR-i nuk ka ndodhur sepse kundërshtohet deri në fund nga PD dhe grupi që ajo përfaqëson. Përderisa vendosmëria jonë ishte që t’i jepnim një mundësi reale përfshirjes së opozitës jashtëparlamentare në proces dhe të lehtësonim me aq sa mundeshim barrën e frikës dhe paragjykimeve të PD-së, vendosëm të bëjmë një lëshim që është lëshimi më i madh i imagjinueshëm për një forcë politike që ka shumicën dhe që realisht shkel mbi veten në këtë rast”, tha Rama.

Rama tha se “me opozitën parlamentare kemi pasur një qëndrim shumë të qartë se procesi do zhvillohej me dy shkallë”.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me ndryshim të sistemit, siç kërkonin me ngulm të fillonim nga sistemi dhe hapja e listave dhe refuzonin të hynim në proces. Kemi bërë marrëveshje me opozitën parlamentare që do të konsiderojmë edhe çështjet e ngritura prej tyre. Kemi arritur të krijojmë edhe mirëkuptimin për të krijuar konsensus të gjerë në parlament, kur ka qenë rasti për të votuar ligje të rëndësishme, të lidhura dhe me integrimin që kërkojnë shumicë të cilësuar”, tha Rama.

Rama tha se “kjo nuk është një çështje aritmetike, përtej faktit që edhe aritmetika nuk na ka përkrahur në këtë proces”.

“Kjo është një çështje parimore që lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe detyrimin që Shqipëria të kaloj një reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe standardet më të mira ndërkombëtare. Me një standard që për mua nuk është aspak një recetë çudibërëse, por është botërisht i pranuar si një standard i mirë i përfaqësimit dhe forcimit të zërit të qytetarëve, hapja e listave”, tha Rama. /j.p/