ATSH/ 200 efektivë të Forcave të Armatosura, që prej mbrëmjes së djeshme ndodhen në Kakavijë dhe vijojnë të shpërndarë ujë dhe ushqime për qytetarët që janë në pritje për të kaluar kufirin për në Greqi dhe kanë krijuar radhë të gjata.
Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako për shkak të situatës së krijuar ndodhet në Kakavijë dhe njofton se, “efektivët e FA nga Tirana, Berati dhe Gjirokastra kanë mbërritur në Kakavijë dhe po ju vijnë në ndihmë qytetarëve duke i’u shpërndarë ujë dhe ushqime”
“1.5 mijë litra ujë e qindra paketa ushqimesh vijojnë të shpërndahen që dje”, tha Çako.
Në Kakavijë dhe Kapshticë u krijuan radhë të gjata pritje të qytetarëve dhe automjeteve për të kaluar në Greqi pas vendimit të autoriteteve greke për të kërkuar vetizolim 7-ditor nga data 17 gusht dhe certifikatë të testit negativ për të gjithë shtetasit që kalojnë nga Shqipëria në Greqi.
Shkak i radhëve në kufi u bë edhe orari i kufizuar nga pala greke në pikën kufitare të Kakavijës dhe atë të Kapshticës. /a.a