/ATSH-A. Fortuzi/-  Qyteti i Lezhës tashmë ka skuadrën e saj të kanoes, e cila stërvitet në rrjedhën e lumit Drin që përshkon mes përmes qytetin, duke e kthyer në një atraksion natyror turistik të rëndësishëm.

Nën kujdesin e Drejtoreshës së Sporteve, Mimoza Shtjefni, në qytetin e Lezhës prej më shumë se dy muajsh 25 të rinj e të reja praktikojnë sportin e kanoes, ndërsa dy javë më parë u zhvillua dhe gara e parë e kanoes në vendin tonë, e fituar nga Marko Gjoka.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka udhëtuar drejt qytetit të Lezhës, për t’u njohur nga afër me të rinjtë e apasionuar me sportin e kanoes dhe për të mësuar zanafillën e kësaj nisme të bashkisë Lezhë.

Me të mbërritur në Lezhë, panorama është e mrekullueshme, magjepsëse ku malet, lumi dhe bregdeti i Adriatikut janë të gjitha të radhitura në mënyrë piktoreske dhe duket sikur kujdesen për çdo cep të territorit. Eruditja bizantine Ana Komnena, në Shek. XII, e quan Lezhën një qytet të ngritur në ajër, që mund të shihet nga të gjitha anët. Nuk është thjesht metafore e skajshme, por vetvetiu çdo shikues mund t’a vështrojë Lezhën në lartësinë e historisë së saj, në ajrin e shekujve si të dale nga frymëmarrjet poetike të poetit Ndre Mjeda që ka shkruar mrekullisht për Lezhën. Nga të kater anët, të rrethojnë metaforat e historisë; çdo njeri jeton midis tyre dhe këtu qëndron vetë sekreti i që të bën për vete për ta vizituar

Fillimisht takohemi me Mimoza Shtjefnin, Drejtoreshë e Sportit në Bashkinë Lezhë dhe një nga ideatorët e këtij sporti. Takimi u zhvillua në lagunën “Kune Vain”, zonë ku kalon edhe lumi Drin, në rrugëtimin e tij drejt bregdetit të Adriatikut.

“Ideja lindi duke parë që në Bashkinë Lezhë ndodheshin tetë kanoe dhe duke qenë që “Drini” është një pasuri natyrore që përshkon qytetin, menduam që ta kombinojmë këto të dyja duke krijuar një skuadër kanoe për të aktivizuar dhe të rinjtë e qytetit. Për momentin pjesë e skuadrës janë 25 të rinj e të reja, por kërkesat janë edhe më të shumta”,-  tha ajo.

“Shumicën e të rinjve e njoh edhe personalisht, pasi kam qenë mësuese e edukimit fizik  dhe sapo kam shprehur kërkesën time, ata kanë qenë të gatshëm për t’u bërë pjesë e skuadrës. Por vënia në jetë e kësaj skuadre, ka qenë një iniciativë e mikeshës sime në Itali, për të sjell dhe eksperiencën e saj këtu. Ne bëmë një trajnim me nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe pasqyruam të mirat që sjell ky sport”,- tha Shtjefni për ATSH.

“Dragonboat është një varkë me 20 vend ku marrin pjesë 20 sportistë dhe nuk ka rëndësi gjinia, mund të jenë vetëm femra, mund të jenë vetëm meshkuj apo edhe të dy gjinitë. Përdorimi i kësaj varke ka dhe shumë efekte pozitive në shëndet, pasi është çertifikuar me doktoraturë që shëron sëmundje të rënda. Është një dhuratë e zonjës Anita Beqiri, që ia ka dhuruar Bashkisë së Lezhës. Ky sport fut edhe fëmijët me aftësi ndryshe, pra ofron një gjithëpërfshirje”,- tha ajo.

“Për momentin e ushtrojmë dy, tre herë apo katër herë në javë. Kjo është një ndër pikat kryesore, ku qyteti jonë ka një turizëm të mrekullueshëm, ku jemi të rrethuar me det, male, fushë, lum. Ne do punojmë sa më shumë që kjo të jetë edhe një atraksion për turistët”,- nënvizoi Shtjefni.

Të rinjtë të cilët po stërviteshin, na rrëfyen emocione tyre. Romina Gjoka, një vajzë simpatike me një shpirt prej lideri, 15 vjeç, e cila ëndrrën në sirtar e kishte të ishte një mjeke kardiologe, thekson se ky sport duhet të praktikohet nga të gjithë të rinjtë. “Jam lindur e rritur në Ishull Lezhë, jam 15 vjeçe.  Është hera e parë që jam marrë me këtë sport. Më ka pëlqyer shumë dhe është shumë bukur që të gjithë të rinjtë të stërviten me këtë sport.”,- tha ajo.

Leandro Pergjokaj, një djalosh mjaft i hedhur, me sy jeshil tha se ky sport i ka afruar edhe më tej me vendlindjen e tyre. “Ne kemi lindur këtu afër ujërave dhe na pëlqejnë sportet ujore. Më shumë më ka pëlqyer gara që bëmë para dy tre javësh, ku dola në vendin e tretë. Më pëlqen ky sport pasi jemi një grup që jemi rritur bashkë dhe aktivizohemi të gjithë bashkë këtu”,- u shpreh Pergjoka.