TIRANË, 9 qershor/ATSH/- Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankimim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, Piro Samara, inspektor pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në vlerësimin e Komisionerit Publik, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk është marrë në zbatim të plotë të dispozitës ligjore, nenit G të aneksit të Kushtetutës, si dhe praktikës gjyqësore orientuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese. Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që kjo mangësi në vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të korrigjohet, pas shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi më 13 maj përfundimin e procesit të rivlerësimit për ish-inspektorin e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak se ai nuk kishte statusin e magjistratit dhe nuk i nënshtrohej procesit të Vetingut. Në vendimin e trupës së kryesuar nga Pamela Qirko, me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Etleda Çiftja vihet në dukje se ish-inspektori Piro Samara nuk gëzonte statusin e magjistratit pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësore në 22 tetor 2019.
“Për sa më lart, Komisioni konstaton se nga momenti që Piro Samara nuk ka statusin e magjistratit nuk mund të jetë një nga subjektet e rivlerësimit, që i nënshtrohen procesit të rivlerësimit ex officio”, thuhet në vendim.
ATSH