TIRANË, 17 korrik/ATSH/-  Prokuroria Speciale Antikorrupsion ka nisur hetim ndaj 14 zyrtarëve të strukturave shëndetësore, që dyshohet se lëshonin libreza shëndetësore në kundërshtim me ligjin, duke konsumuar veprën penale “Korrupsion Pasiv” dhe “Shpërdorim Detyre”.

Sipas SPAK, nga personat e hetuar janë dhënë masat paraprake të sigurisë “arrest shtëpie” për 9 prej tyre, “arrest me burg” për 2 të tjerë dhe 3 po hetohen në gjendje të lirë. Sipas hetimit, të dyshuarit kryenin kontrolle në subjekte të ndryshme tregtare në Tirane dhe kundrejt ryshfetit plotësonin librezat e biznesit sikur nuk ishin konstatuar shkelje.

Në vendimet e marra nga gjykata, në bazë të hetimeve në SPAK, mësohet se Niko Nika dhe Hazis Lura janë nën masën e sigurisë “Arrest me burg”.

“Arrest me burg”: Niko Nika, Hazis Lura. Me “Arrest Shtëpie” janë, Eda Myftari, Ihsan  Hasani, Franc Daija, Ilir Hoxha, Ornela Balla, Johana Sinani, Arjan Gjoka, Evald Bejaj. Ndërkohë Luiza Metani, Diana Hysi, Marinela Sulmina, janë pezulluar nga detyra.

Më konkretisht ndaj 14 të hetuarve, SPAK ka ngritur 3 akuza, “Shpërdorim Detyre”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se personat nën hetim janë implikuar në disa episode korruptive si: marrje e vlerave monetare që varijonin nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja, në këmbim të mosndëshkimit me masë administrative të subjekteve të cilët ishin konstatuar me shkelje të kushteve higjieno-sanitare; sigurim i librezave shëndetësore të lëshuara mënyrë fiktive, për shtetas të cilët nuk u janë nënshtruar vizitave mjekësore, duke përfituar shumën 2.000 lekë të reja për çdo librezë; ndërmjetësim me qytetarë të ndryshëm për të bërë tamponin për COVID-19, kundrejt shumave monetare nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja; marrje e shumave monetare subjekteve të ndryshme tregtare që të mos i ndëshkonin me masa administrative kur konstatoheshin me shkelje.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 1.500.000 lekë të reja dhe 2500 euro të gjetura në banesën e personit nën hetim N. N.; 35 libreza shëndetësore të gjetura në disa subjekte tregtare private në qytetin e Tiranës; certifikata dezinfektimi dhe dokumente të ndryshme mjekësore që janë lëshuar në mënyrë fiktive nga punonjësit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Instituti i Higjienës Tiranë; 14 aparate celulari të markave të ndryshme dhe një pajisje elektronike tablet. Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.

ATSH