ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ne do t’i trajtojmë një nga një rekomandimet e Komisionit të Venecias për “Ligjin e medies” dhe do të miratojmë ligjin.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, Kryeministri Rama iu përgjigj pyetjeve lidhur me ligjin e medias.
Rama tha se draft-ligji u diskutua më shumë se sa përgjatë një viti, shumë hapur, këtu dhe me OSBE-në.
“Ligji është i konsultuar një vit me OSBE-në dhe i miratuar nga OSBE-ja ndërkohë që tani po bëhet adoptimi i Komisionit të Venecias dhe ligji do të kalojë jo për t’i mbyllur gojën gazetarëve, por për të krijuar një mjedis më etik ku të gjithë mund të flasin, por ata që janë pre e sulmeve të pabaza kanë mundësi të mbrohen”, theksoi Kryeministri.
“Nisëm me modelin gjerman. Na u tha që modeli gjerman nuk është demokratik. Vijuam drejt modeleve franceze, kroate dhe na u tha se dhe ato nuk janë demokratike dhe më pas bëmë një shumë demokratike mbështetur në konsulencën tonë me OSBE-në, që në thelb sipas këndvështrimit tim nuk trajton atë plagë a murtajën në debatin shqiptar lidhur me lajmet e rreme, me shpifjen, me sulmet personale dhe diskriminimin e njerëzve e me radhë. Por, sërish ofron së paku mundësinë që njerëzit, jo unë, por njerëzit të mbrojnë veten kur gjenden të sulmuar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “kur po flisnim për këtë ligj, mbështetja më e madhe erdhi nga njerëzit e biznesit, sepse ata shantazhohen çdo ditë”.
“Megjithatë ne e dërguam ligjin në Komisionin e Venecias. Komisioni i Venecias nuk tha se ligji është në kundërshtim me parimet demokratike. Ajo ka bërë disa vlerësime ka dhënë disa rekomandime të cilat ne do t’i trajtojmë një nga një. Pra flas për rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe do të miratojmë ligjin. Sepse në këtë xhungël lajmesh të rreme, dezinformimi, sulmesh kundër personalitetit të njerëzve dhe keqedukimit të të rinjve përmes shkeljes së përditshme të etikës së medias, së paku individët në këtë vend duhet të kenë të drejtën t’i kërkojnë llogari para gjykatës çdokujt që i sulmon e që fshihet pas anonimatit ose burimeve të jashtme dhe që në fakt u bie njerëzve si të ishin të pavlerë. Në Shqipërinë tonë kjo nuk mund të vazhdojë. Është shumë e thjesht, ju sugjeroj ju të gjithëve të shikoni filmin “Dilema sociale”, shikojeni dhe do ta diskutojmë”, tha Rama. /j.p/