/ATSH/ -Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për miratimin e aktit normativ të Këshillit të Ministrave”, ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19’, të ndryshuar”.

Institucioni i Presidentit të Republikës thekson se,”ky ligj është kthyer pasi Kuvendi, duke miratuar aktin normativ të Këshillit të Ministrave që paraqitet si një akt që “lehtësonte” masat kufizuese për jo më shumë se 2 persona të pranishëm në një studio epidemie, në fakt përcakton një masë të rëndë administrative fikse, me gjobë 1 000 000 (një milion) lekë ose vendosjen e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, ndërkohë që gjendja e fatkeqësisë natyrore e shpallur me ligj, ka përfunduar vetëm 5 ditë pasi Kuvendi ka miratuar këtë akt”.

Sipas argumenteve shoqëruese të Dekretit, kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur, por sanksioni ndëshkues administrativ është shproporcional.

Sipas ligjit, ky sanksion që rrezikon të çojë në ndëshkimin me pa të drejtë të medieve, jo më nga një organ i pavarur, por nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, cenon të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetutës, thekson Institucioni i Presidentit të Republikës.

/gj.mima//a.a/