ATSH/ -Mësimi online me platformën e unifikuar, programi i RTSH Shkolla dhe unifikimi i planeve mësimore mundëson që të gjithë të mësojnë paralelisht në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht tekstit që ata përdorin.

Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini zhvilloi sot një takim mbi fillimin e vitit të ri shkollor me deputetët më të rinj të Parlamentit të Nxënësve, përfaqësues të shkollave 9-vjeçare.

Ministrja theksoi se me ta foli në veçanti “për mësimin online (platformën e unifikuar), programin RTSH Shkolla dhe unifikimin e planeve mësimore në mënyrë që të gjithë të mësojnë paralelisht në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht tekstit që ata përdorin”.

“Ata më treguan për eksperiencën e tyre gjatë këtij viti dhe si do të fuqizojnë zërin e nxënësve vitin e ardhshëm shkollor”, u shpreh Shahini.

“Ata më sugjeruan që vitin e ardhshëm shkollor të fokusohemi në veçanti tek lëndët shkencore, sidomos tek ato të cilat janë zhvilluar për herë të parë gjatë këtij viti shkollor”, tha ajo.

Shahini theksoi se, “diskutime të tilla kanë rëndësi të veçantë pasi nxënësit ngrenë çështje të ndryshme dhe japin sugjerime të vlefshme për përmirësimin e mëtejshëm të politikave tona arsimore”.