TIRANË, 18 korrik/ATSH/-Mjeku kirurg njëherazi edhe anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Arben Gjata deklaroi se laboratori i dytë ishte gati prej kohësh dhe me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19, u vu në dispozicion për kryerjen e testimeve.
Gjatë një interviste, Gjata tha se “që në fillim ka qenë gati i gatshëm laboratori në QSUT. Madje ne si universitet mjekësie kemi kontribuar pasi një nga këto pajisjet PCR që janë aty, janë pikërisht të vëna në dispozicion nga universiteti i mjekësisë për COVID-19. Problemi ka qenë i thjeshtë, që numri i testimeve që bëheshin dhe kapacitetet që kishin ISHP mjaftonin, ose komiteti mendonte që mjaftonin për situatën COVID që kishim ne në atë periudhë. Me rritjen e rasteve dhe me përhapjen në formë pandemike të kësaj sëmundje lindi nevoja që të vihet në punë edhe laboratori dytë, që po ju them që ai laborator ka disa kohë që ka qenë i gatshëm për t’u vënë në punë’.
“Ne kaluam një fazë shumë të mirë të karantinimit ku kishim shifra shumë të mira përsa i përket lockdown të shpejtë që u ndërmor, edhe masat të shpejta që u ndërmorën dhe pikërisht solli një relaksim total të shoqërisë dhe shumë njerëz menduan që COVID është një shaka, është një sëmundje që mori fund në Shqipëri dhe hapja, megjithëse të gjithë prisnim rritjen e shifrave me hapjen e aktivitetit social, ekonomik, kulturorë etj, u shoqërua me një pakujdesi totale të publikut për të respektuar masat antiCOVID. Nuk besoj se këtu ka qenë e pamjaftueshme sensibilizimi që është bërë për nga ana jonë publikut. Sensibilizimi që është bërë sepse mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në këtë mes dhe sidomos hapja e studiove për lloj-lloj gjithollogësh të cilët edhe sot vazhdojnë të thonë që COVID nuk eKziston dhe shpeshherë janë edhe ata shkaktarë që sëmundja përhapet edhe që njerëzit pësojnë ato dëme të rëndësishme deri në vdekje që ka ndodhur deri tani”, tha ndër të tjera Gjata.
Ai shpjegoi se më tepër sesa rihapja e transportit publik, në rritjen e numrit të të infektuarve po luan një rol edhe pjesëmarrja e të rinjve në bare, kafene apo klubet e natës, të cilët sipas tij, refuzojnë të kuptojnë që i gjithë vendi ndodhet në një situatë pandemie.
“Nëse ne do të dalim në Tiranë dhe do të bëjmë një shëtitje nëpër lokale, nëpër klube ose nëse do të ikim nëpër klubet e natës sidomos në zonën e Bllokut, do të shohim me dhjetëra, me qindra djem e vajza të reja që nuk mbajnë asnjë maskë, që kërcejnë, këndojnë, vallëzojnë dhe kjo histori është edhe në zonat e jugut ku kam parë disa fotografi të party-ve që janë bërë ku janë me qindra njerëz që festojnë dhe që harrojnë që jemi në periudhë COVID. Nëse do të kishte një lloj afeksioni mbi numrat e të prekurve transporti urban, unë besoj që është më i ulët sesa këto që të them të drejtën kur i shoh më rrënqethet mishi, kur shoh ata të rinj e të reja që nuk mendojnë as për veten e tyre, as për familjet e tyre dhe jo më të mendojnë për shoqërinë”, tha Gjata.
ATSH