Muaji dhjetor shënoi një rritje të ndjeshme çmimesh, krahasuar jo vetëm me një vit më parë, por edhe me muajin nëntor 2022. Në një raport të INSTAT, lidhur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) në muajin Dhjetor 2022, rritja ishte 7,4 %, krahasuar me një vit më parë. Burimi kryesor i informacionit për shpenzimet është Anketa e Buxhetit të Familjeve.
Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2022, krahasuar me Nëntor 2022 ishte 0,4 % dhe se rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2022 ishte 6,7 % nga 2,0 % që ishte në vitin 2021.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit.
Raporti evidenton se rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”.
Rritje pati edhe për çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Transporti”, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Hotele, kafene dhe restorante”, “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, “Veshje dhe këpucë”, “Shërbimi arsimor”, “Shëndeti”, “Komunikimi”, “Argëtim dhe kulturë”.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore
Krahasuar me muajin Dhjetor 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Transporti”, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Hotele, kafene dhe restorante”, “Veshje dhe këpucë”, “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shërbimi arsimor”, “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë”, “Shëndeti”.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me me 25,4 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna”, “peshk”, “bukë dhe drithra”, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira”, “mish”, “zarzavate përfshirë patatet” etj.Metodologjia
Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri. Indeksi mat ndryshimet relative të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga familjet për konsum vetjak dhe llogaritet duke përdorur strukturën e konsumit final të familjeve shqiptare.
Ndryshimi vjetor mat ndryshimin e indeksit të çmimeve midis muajit korrent me të njëjtin muaj të vitit të mëparshëm. Ky ndryshim është rrjedhojë e ndryshimeve korente në nivelin e çmimeve, por mund të ndikohet edhe nga efektet e papërsëritshme të cilitdo muaj.
Ndryshimi mujor mat ndryshimin e indeksit të çmimeve të muajit korent me muajin e mëparshëm. Ky tregues është i ndjeshëm nga efektet sezonale.
Ndryshimi mesatar 12 mujor mat ndryshimin e indeksit mesatar të konsumit në 12 muajt e fundit me indeksin mesatar të 12 muajve të mëparshëm.
/rtsh.al/



























