ATSH-A. Fortuzi/ Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka reaguar pas lajmit të hidhur të ndarjes nga jeta të ish-trajnerit të Kombëtares, Otto Bariç.
Në mesazhin e publikuar prej tij, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar shprehet se Bariç ka qenë një nga trajnerët më të mirë që ka pasur Shqipëria dhe ka lënë mbresa e kujtime të pashlyera gjatë eksperiencës së tij në stolin kuqezi.
“Mësova me trishtim lajmin për ndarjen nga jeta të ish-trajnerit të Shqipërisë dhe mikut tonë, Otto Bariç. Ai ka qenë një nga trajnerët më të mirë që ka patur Shqipëria.
Padyshim një ekspert, por dhe një njeri shumë i mirë. Koha që bashkëpunuam kur ai drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, ka lënë mbresa dhe kujtime të pashlyera. Kam pasur gjithmonë vlerësimin maksimal për të. E kam thënë në shumë ambiente, por e them përsëri, kam mësuar shume nga bashkëpunimi me Otton në të gjitha këndvështrimet.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, Federatën Kroate të Futbollit dhe miqtë e tij të shumte. Gjithmonë i paharruar, Otto!”, – shkruan presidenti Duka në reagimin e tij. /j.p/