/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj bëri të ditur sot se në mesin e muajit shator do të nisë ndërtimi i banesave kolektive në zonat e prekura nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit.

Gjatë një takimi që zhvilloi në bashkinë e Durrësit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Ahmetaj tha se në këtë bashki janë 7 zona të pikëzuara, në qendër të Durrësit.

“Në shtator në shumë bashki, ku përfshihet edhe Durrësi do të fillojë ndërtimi njësive kolektive, pallateve”, deklaroi Ahmetaj.

Po ashtu, ministri vuri në dukje se do të nis puna edhe në zonën që konsiderohet si trashëgimi kulturore, ku me grantin prej 50 milionë euro të Bashkimit Europian do të kryhet një riparim dhe rijetëzim i zonës.

Me nisjen e ndërtimit të banesave kolektive, tha Ahmetaj, bëjmë që të gjitha programet e rindërtimit të jenë në zhvillim./a.gjonaj/ /a.g/