ATSH/ Në bashkitë Vorë dhe Rrogozhinë ka nisur dhënia e granteve të meremetimit vetjak të banesave të cilat u dëmtuan pjesërisht nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

1159 familje përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre në Vorë dhe Rrogozhinë.

Kryeministri siguroi se qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët, për meremetimet e dëmeve të tërmetit, në një shumë totale afro 8 miliardë lekë ose 80 milionë USD.

“Vijojmë me procesin e mbështetjes me grante për meremetimet e banesave të dëmtuara por të riparueshme. Vazhdojmë sot me bashkinë Vorë dhe Rrogozhinë ku ka filluar procesi në bazë të vendimit të Këshillave Bashkiakë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “faktikisht në bashkinë e Vorës kemi 365 përfitues për dëmet e lehta fare, 329 përfitues për dëmet e shkallës së dytë dhe 115 përfitues për dëmet e  shkallës së tretë”.

“Në total janë 176 250 mijë lekë, ose 1.7 milionë dollarë të cilat i kalojnë drejtpërdrejtë familjeve dhe janë 753 kontrata të ndara deri tani”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri theksoi se “në bashkinë Rrogozhinë kemi 110 109 mijë lekë ose rrett 1.1 milionë dollarë që do të shpërndahen për të gjitha familjet e dëmtuara për të bërë meremetimet sipas niveleve të dëmit”.

Rama tha se “edhe në bashkinë Rrogozhinë Këshilli Bashkiak ka marrë vendimin për të miratuar grantin e rindërtimit”.

“Më vjen shumë mirë që pas gjithë asaj pune voluminoze të bërë për identifikimin, verifikimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve kur kemi probleme me titujt e pronësisë apo me disa kurora, tanimë jemi në fazën e lëvrimit të një shume të aprovuar prej afro 75 milionë dollarë dhe parashikojmë, duke parë edhe procesin e plotësimit të të gjithë mbështetjes bazuar edhe në ankimimet e bëra, shuma e mbështetjes do të shkojë rreth 80 milionë dollarë, ndoshta pak më shumë, gjë që krijon premisën që të gjitha familjet e dëmtuara të kenë mundësi të kryejnë meremetimet, apo kur i kanë kryer të kompensohen për shpenzimet e bëra. I takon qeverisë t’i qëndroj pranë të gjithëve dhe askush të mos mbetet vetëm në këtë proces”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “janë 11 bashki të përfshira në këtë program masiv mbështetje”.

“Procesi i rindërtimit në këto blloqe masive udhëhiqet nga FSHZH. E njëjta gjë edhe për Rrogozhinën. Në dijeninë time janë duke u përfunduar projekte zbatimi ndërsa është lidhur marrëveshja e parë për ndërtimin e njësive individuale që fillojnë shumë shpejt”, tha Rama.

Rama shprehu bindjen se procesi po ecën me ritme shumë të larta. “Patëm një fazë ngadalësimi të detyruar për shkak të mbylljes në funksion të mbrojtjes nga vala e parë e COVID-19. Shtëpitë individuale shumë shpejt do të jenë në kantier me lote, hap pas hapi. Në disa zona ka filluar puna për infrastrukturën. Në Tiranë, Vorë do të fillojmë shumë shpejt me prishjet e banesave kolektive të pameremetueshme. Jemi shumë optimistë që në vjeshtë të gjitha këto zona do të jenë kantier”, tha Rama.

Kryeministri thekoi se “në rastin e Vorës, ashtu si në rastin e Thumanës, Kurbinit, Durrësit, Tiranës, kudo ku kemi blloqe të reja, do të kemi një cilësi komplet tjetër, jo vetëm në aspektin e jetesës së çdo qytetari por edhe në infrastrukturë. Qendra e Vorës do të pësojë një transformim radikal dhe do të hyjë në një epokë të re. Duhet ta mbyllim një orë e më parë procesin”, tha Rama. /a.g/