/ATSH – I. Vata/-Zëvendëskryeministri Erion Braçe u bën apel qytetarëve që duhet të dëgjojnë zërin e mjekut në luftën kundër pandemisë.
Duke sjellë një personazh të spikatur të mjekësisë në kontributin kundër pandemisë siç është mjekja Najada Çomo, Braçe shprehet se “fytyra e betejës për jetën është kjo dhe është fytyra me e bukur në botë. Doktoreshë Najada Çomo nuk është as heroinë e as kamikazë, është një mjeke e betuar të shërbejë deri në fund për të shpëtuar jetë, shëruar njerëz. Nuk di sa njerëz e kanë parë foton e saj dje, këtë foto, sa e kanë pëlqyer, sa të tjerëve u është dhimbsur. Unë dua t’ju them t’i dëgjoni zërin”.
“Foto me zë nuk bëhet dot, por zëri i doktoreshës është krejt tjetër. I fortë, i gjallë, frymëzues, imponues, motivues, nxitës, shpresëdhënës, të bën të luftosh për jetën. Në çdo orë të ditës të flasësh me të, në mëngjes apo në mbrëmje vonë, është kështu. Zëri i saj është simboli i kësaj beteje të gjatë 5 muaj por që do vijojë. Doktoreshe Najada Çomo është një shërbyese publike, në krye të klinikes me në zë të shërbimit shëndetësor publik sot. Është vetëm? Jo! Vetëm nuk bën dot betejë. Janë mijëra të tillë në klinikën e saj dhe anekënd këtij vendi-mjeke, infermierë, epidemiologë, imazheristë, farmacistë, sanitarë, të cilët po shërbejnë fort e çdo orë për qytetarët, nga familja, qendra shëndetësore deri në spitale”, tha ai.
Po ashtu, Braçe shton se “i kemi duartrokitur një herë. Mendoni se me kaq mbaruat me ta? Jo! Dëgjojuni zërin, dëgjojuni fjalën. Mjekët janë aty për të shërbyer, mjekuar, shëruar e shpëtuar përfundimisht. Por asnjëri prej tyre nuk i ka kujt për borxh shpërfilljen, neglizhencën, refuzimin ndaj rregullave të sëmundjes”. /a.g/