ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se “të gjithë janë dëshmitarë të një dakordësie me opozitën parlamentare në maj-qershor të vitit 2019, ku ne kemi amenduar asokohe mandatin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore për të diskutuar jo vetëm ndryshimet për Kodin Zgjedhor por për të diskutuar në kuadrin e komisionit edhe çështje që lidhen me hapjen e listave, që ka qënë një propozim i opozitës parlamentare”.

Duke iu referuar dakordësisë për propozimin e listave të hapura, Balla tha se si Parti Socialiste “kemi thënë që do të flasim të fundit për këtë çështje”.

“Padyshim që koha në dispozicion të pjesës së parë të mandatit të komisionit të Posaçëm shkoi përtej pritshmërive sepse i gjithë synimi ka qënë që ajo të mbyllej brenda dhjetorit të vitit të kaluar por më në fund dakordësia me opozitën jashtë parlamentit u arrit në 5 qershor për çështje që lidhen ekskluzivisht me infrastrukturën dhe administrimin e procesit zgjedhor”, u shpreh Balla.

Ndërkohë, sipas tij,  që nga ajo marrëveshje nuk ka pasur dakordësi që lidhen me çështje të tjera të mandatit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

“Ndërkohë nga ana e opozitës parlamentare është ndërmarrë një iniciativë që në aspektin procedural dhe të procedurës së kuvendit është në konformitet të plotë. Sot në komisionin e posaçëm, në komisionin e ligjeve në bashkëpunim me Këshillin e Legjislacionit është bërë diskutimi në parim dhe pozicioni zyrtar i grupit parlamentar i partisë socialiste i cili është marrë dje në mbledhjen e grupit parlamentar është që ne jemi dakort në parim me tre ndryshimet e propozuara”, u shpreh Balla.

“Në fakt ai është një ndryshim që bashkëshoqërohet me mekanizma të tjerë rregullatorë për të garantuar një lehtësi në procesin e votimit nga ana e qytetarëve shqiptarë sepse në fund të fundit, ajo që është shumë e rëndësishmë kur bëhet një hapje e listave zgjedhore qoftë kjo e pjesshme apo e plotë  është që qytetari i thjeshtë dhe i zakonshëm i këtij vendi, ta ketë të lehtë procesin e votimit”, theksoi Balla.

Balla shtoi se “ na rezulton që shqiptarët duan jo vetëm të shprehin një votë për partinë, për kryetarin e partisë në pjesën që lidhet më mënyrën si është formatuar deri tani fleta e votimit por duan edhe një votë parapëlqyese për njërin prej kandidantëve në listën e secilës prej partive që marrin pjesë në zgjedhje”.

“Në këtë këndvështrim, ne kemi arritur përfundimin se ne e mbështesim në parim nismëm e deputetëve të opozitës parlamentare. Vlerëojmë që ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt një demokratizimi më të plotë të jetës politike në vend edhe pse me definicion partitë e mëdha janë kundër hapjes së listave”, tha Balla.

“Por, mendoj se Partia Socialiste gjithmonë ka qënë refleksion i asaj që do shumica e qytetarëve shqiptare. Në këtë këndvështrim mbështesim një hapje të listave, ajo mund të jetë një hapje që të garantojë edhe disa dimensione të rëndësishme sikurse është për mua por për grupin tim parlamentar garancitë e përfaqësimit të drejtë gjinor. Pra të mos përfundojmë në një histori që të kemi vetëm burra në parlament por atë që kemi arritur deri tani, që kemi pothuajse 1/3 e parlamentit me gra të nderuara që i kanë dhënë me profesionalizëm të kuvendit të shqipërisë. Këtë të vazhdojmë ta ruajmë por edhe në aspektin professional, të ruajmë mundësitë që parlamenti të jetë sa më i barabartë gjinor dhe sa më shumë i ekujlibruar në aspektin e profesioneve të ndryshme që duhet të përfaqësohen në kuvendin e Shqipërisë. Në këtë kontekst, unë dua t’iu them që procesi i ndryshimeve kushtetuese ecën në mënyrë tërësisht të pavarur nga procesi i ndryshimeve në kodin zgjedhor”, tha Balla.

“Ne rishprehim sot që të jetë e qartë për të gjithë: gjithçka e dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit nuk do të preket në ndryshimet e depozituara nga deputetët e grupit parlamentar të PS në datën 1 korrik. Në datën 15 korrik, Komisioni i Ligjeve do t’i diskutojë dhe duhet të garantojë që nuk do të preket asnjë atyre amendamenteve por që janë në trajtën e një dokumenti të plotë sipas asaj marrëveshje që kemi dakordësuar në 5 qershor. Dua të shpjegoj që janë dy procese që ecin në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra dhe që duhet të konkludohen sa më shpejt për të respektuar të gjithë procedurën siç e përcakton kushtetuta dhe rregullja e kuvendit për ndryshimet kushtetuese. Kuvendi në aspektin e procedurës i ka të përcaktuara afatet”, përfundoi Balla. z.tosku/j.p/