Nga New York-u, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për televizioni francez TV5MONDE, ku foli për sfidat e Shqipërisë dhe të qeverisë “Rama 3”.

Sfidat e qeverisë për katër vitet e ardhshme sipas tij janë vazhdimi i punës për të modernizuar vendin, transformuar Shqipërinë, për të forcuar shtetin e së drejtës, reforma në drejtësi.
“Duhet të luftojmë për shumë gjëra që vijnë nga e ardhmja por ka shpresë”, tha kryeministri.

I pyetur me këmbëngulje nga gazetarja nëse Shqipëria e pajtueshme me Evropën, në varësi të asaj çka ju kërkon Brukseli, kryeministri u përgjigj:

“Fati që pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë, dhe fakti që ka njerëz nga pushtete të forta që kanë dalë para gjykatave dhe janë dënuar, flet vetë. Po bëjmë një luftë të hapur kundër korrupsionit, po bëjmë një luftë të hapur për shtetin e të drejtës dhe dua të shtoj edhe luftën kundër trafikut të drogës; së pari nuk jemi një përjashtim në Evropë, së dyti po të flasim për sasi, jemi ndër vendet me sasinë më pak të konsiderueshme dhe së treti kemi bërë përparime shumë të rëndësishme edhe në këtë drejtim“.

TV5MONDE prezantoi kryeministrin e rizgjedhur të vendit dhe vetë Shqipërinë përmes një reportazhi të përgatitur nga gazetarët francezë “për ish-shtetin komunist që prej 30 vitesh troket në derën e BE-së”:

Shqipëria: Deti i saj vaj, malet e saj përrallore të privuara nga turistët. Por në fakt, ku është Shqipëria? Drejtimi në juglindje të Evropës, pikërisht përballë Italisë, në zemër të Ballkanit.

Shqipëria ka në kufi Malin e Zi, Kosovën dhe Greqinë. Thuajse po aq e madhe sa Belgjika, 3 milionë banorët e saj flasin gjuhën shqipe, kryeqyteti i saj është Tirana, dhe regjimi është republikë parlamentare.

Në zgjedhjet legjislative të pranverës së kaluar, kryeministri Edi Rama fiton një mandat të tretë, fitues i një fushate të dhunshme, e shënuar si gjithmonë nga fyerje, akuzat për mashtrime dhe blerje votash, por mbi të gjitha, nga lodhja e popullsisë

Zgjedhje të kontrolluara me lupë nga Bashkimi Evropian, ka 30 vite që ish-shteti komunist troket në derën e BE-së, vitin e kaluar Brukseli dha më në fund miratimin e tij për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por pa caktuar një datë.

Por sot, sipas vetë pohimit të kryeministrit të saj, ajo nuk është ende gati, duhen kryer ende reforma të rëndësishme për të luftuar kundër korrupsionit dhe trafikut të drogës, që sundojnë në vend.

Prej disa ditësh, Rama ndodhet në New York, ku dhe është prezantuar si kryeministri i Shqipërisë për 4 vitet e ardhshme. Një ditë më parë kryeministri Rama mbajti një fjalim të gjatë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku foli për disa çështje, si pandemia me shembullin e solidaritet që vendi ynë dha duke dërguar staf mjekësor në Itali për të ndihmuar zonën e Lombardisë në momente kritike dhe duke vazhduar më tej me falënderimin për Turqinë dhe BE-në, që mundësuan dozat e para të vaksinave kundër Covid-it.

Rama foli për aspiratën e Shqipërisë për t’u integruar në BE si dhe u ndal edhe tek nisma Open Balkan. Në fjalimin e tij, kryeministri nuk la pa përmendur as situatën në Afganistan dhe solidaritetin e Shqipërisë për pritjen e refugjatëve.

Top Channel