Si asnjëherë më parë, aplikantët do të kenë një pagë mujore dinjitoze, përgatitje fizike dhe profesionale të vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit sipas standardeve të NATO dhe përfitime të tjera për një karrierë të sigurt.

Rreth 400 vende të lira janë sot pranë FA për ushtarë dhe detarë aktiv.

Të rinjtë apo të rejat nga 18 deri në 27 vjeç me arsim 9-vjeçar, të mesëm apo të lartë do kenë mundësi të krijojnë karrierën e tyre pranë FA.

Në kushtet e një profesionalizmi më të lartë të FA dhe një angazhimi gjithnjë e më të madh në përmbushje të detyrave në mbrojtje të vendit dhe në interes të Aleancës, rekrutimi i ushtarëve me një profil sa më të lartë është thelbësor për FA-në.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ushtritë e vendeve të NATO-s i kushtojnë një vëmendje të madhe këtij problemi, në mënyrë të veçantë instrumenteve të përzgjedhjes dhe motivimit të tyre.

“Rekrutimi i ushtarëve/detarëve ka një impakt të rëndësishëm mbi të ardhmen e FA-së. Për këtë arsye kërkohet që të rekrutohen shtetas me një profil cilësor, të aftë nga ana fizike dhe shëndetësore dhe me një nivel të lartë kulturor. Një gjë e tillë mund të arrihet nëpërmjet përsosjes së sistemit të përzgjedhjes dhe motivimit”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes.

Rekrutimi për t’u bërë ushtar/detar aktiv në Forcat e Armatosura, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “duhet t’u ofrojë shanse të barabarta të gjithë shtetasve shqiptarë për mosdiskriminim për shkak të racës, etnisë, ngjyrës, gjinisë, përkatësisë fetare, vendbanimit, si dhe pagës, përfitimeve dhe kompensimeve të tjera, sipas veçorive të shërbimit ushtarak”.

“Procedurat e përzgjedhjes së ushtarëve/detarëve do të jenë transparente dhe të dokumentuara. Për të rritur transparencën, procedurat, kriteret, udhëzimet, rregulloret e testimeve dhe lista përfundimtare e rezultateve të testimit do të publikohen në faqen zyrtare të internetit të Forcave të Armatosura dhe do të përmirësohet mënyra e zhvillimit të testimit dhe vlerësimit nëpërmjet sistemit të automatizuar”, thuhet në njoftim.

Për të filluar procesin e rekrutimit i interesuari duhet të plotësojë një sërë kriteresh dhe dokumentash. Shtetasit që kërkojnë të aplikojnë për ushtarë/detarë aktivë në FA duhet të aplikojnë drejtpërdrejt në zyrën e pranimit në Qendrën e Personel Rekrutimit, e cila vijon procedurat e testimit dhe përzgjedhjes me kandidatët që janë gjykuar të aftë nga ana shëndetësore.