ATSH/ Rikonstruksioni i Unazës së vogël të qytetit të Fierit do t’i shtohet mozaikut të transformimit urbanistik të qytetit, duke rritur cilësinë e jetës së banorëve.
Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi deklaroi sot se “po përparon çdo ditë e më shumë puna në segmentin e parë të rrugës “Jakov Mile”, pjesë e Unazës së vogël të qytetit”.
Subashi u shpreh se “aktualisht ka përfunduar hedhja e shtresës së binderit dhe janë duke vazhduar punimet për suvatim dhe lyerje fasadash”.
“Po ashtu po bëhet shtrimi me pllaka në trotuare dhe realizimi i korsive të biçikletave”, tha ai.
Rikonstruksioni i këtij segmenti rrugor, sipas Subashit, do të lehtësojë lëvizshmërinë e mjeteve, do të përmirësojë hapësirat urbane me trotuare, ndriçim, fasada të rehabilituara, gjelbërim dhe mobilim urban, duke ndikuar në rritjen e cilësisë së jetës së banorëve.