ATSH-A. Fortuzi/- 7 449 familje në Bashkinë Durrës do të përfitojnë nga grandi i qeverisë për rindërtimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuara. 3 200 janë kontratat e lidhura, ndërsa 2.5 miliard lekë është fondi në dispozicion për familjet e përfshira në këtë kategori.
Emiriana Sako, Kryetare në detyrë e Bashkisë së Durrësit, gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj, informoi se janë afro 7 500 familje që me vendim të Këshillit Bashkiak të Durrësit do të përfitojnë nga grandi për rindërtimin e banesave individuale të vendosura nga qeveria në kuadër të procesit të rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Ne kemi miratuar pranë Këshillit Bashkiak një listë me 7 449 familje që i është miratuar grandi. Aktualisht kemi marrë fond për 2.1 miliard lekë dhe kemi kërkuar dhe një fond tjetër dhe në total Bashkia e Durrësit pritet të përfitojë nga kjo nisëm 2.5 miliardë lekë për rindërtimin e banesave individuale. Të premten bëmë likuidimin e parë të familjeve përfituesve, duke i dhënë 60 milionë lekë. Kemi marrë fondin për riparimin e objekteve të përbashkëta për rreth 790 godina, që është program më vete, nga ai i riparimit të banesave individuale”,- tha Sako.
Sipas kryebashkiakes së Durrësit, fokusi është tek banesat e dëmtuara në nivelin DS3, ku do caktohet dhe një inxhinier nga Bashkia për monitorimin e punës.
“Procesin do ta monitorojmë si Bashki dhe do fokusohemi tek DS 3, pasi grandet në DS 1 dhe DS 2 janë më të lehta në aspektin e riparimit. Tek DS 3 do fokusohemi me grupet e bashkisë, me inxhinierët për të monitoruar procesin hap pas hapi. Për t’i ardhur në ndihmë këtij grupi, kemi nxjerr dhe një listë të subjekteve që operojnë në Durrës në fushën e ndërtimit, për t’i vënë në dispozicion këto lista familjeve që kanë nevojë të kenë këtë informacion për të ndërmarrë më pas procesin e riparimit”,- tha Sako. /a.g/