ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se ndryshimet e propozuara mbi ligjin e buxhetit të 2020-s vijnë si një domosdoshmëri për një akomodim më realist e aktual të shpenzimeve kapitale, në realitetin që po ndodh dhe për ti orientuar më mirë ato në përputhje me goditjen që ka marrë ekonomia për shkak të COVID-19.

Denaj prezantoi sot në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave shpenzimet kapitale të alokuara në buxhetin e rishikuar për vitin 2020.

“Ndryshimi i ligjit organik të shtetit shoqëruar edhe me aktet për një konsolidim të vazhduar fiskal do të sigurojnë një rikthim të qartë në një bilanc primar pozitiv në vitin 2022”, tha ajo.

Në buxhetin e rishikuar parashikohet alokimi i fondit në masën 4 miliardë lekë për shpenzime shpronësimi dhe shlyerje detyrimesh të prapambetura në sektorin e infrastrukturës. Financimin shtesë prej 1 miliard lekësh për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi.

Alokimin e fondit shtesë prej 3 miliardë lekësh për FSHZH, për programe zhvillimi. Alokimin e fondit prej 2 miliardë lekësh për projektin madhor të Unazës së Re të Tiranës.

Financimin e projektit të Rrugës së Ersekës, në masën 800 milionë lekë. Financimin prej 600 milionë lekësh të studim-projektimit të tunelit të Llogorasë.

Financimin prej 500 milionë lekësh të studim-projektimit të konvikteve nga bashkia Tiranë. Financimin e By-Pass-it Tepelenë, në masën 300 milionë lekë.

Akordimin e një fondi prej 573 milionë lekësh për blerjen e pajisjeve e përshtatjen e godinës së SPAK. Alokimin e fondit shtesë prej 100 milionë lekësh për projektet e kanaleve ujitëse/kulluese, si dhe financimin prej 73 milionë lekësh të studim-projektimit të aksit Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri./a.gjonaj//a.a/