TIRANË, 9 korrik /ATSH – I. Vata/ – Deputeti i opozitës parlamentare Artur Roshi ka kërkuar rishikimin e historisë dhe vlerësimin e figurave të lëna në harresë nga komunizmi, si dhe rishikimin e teksteve shkollore gjatë seancës së sotme plenare ku u zhvilluar interpelanca e thirrur prej tij me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.

Pas fjalës së ministres, Roshi tha se tekstet kanë gabime në shkrimin e historisë së Shqipërisë. “Këto tekste të  përzgjedhura nga ministria juaj nuk tregojnë të vërtetën e historisë së Shqipërisë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Roshi.

Sipas Roshit, figura të rëndësishme të historisë janë harruar. “Figura të rëndësishme që kanë bërë historinë të retushuara nga regjimi diktatorial komunist, ende nuk kanë dalë në dritë dhe nuk u është dhënë vlera që u takon. Pak apo aspak thuhet për Mit’hat Frashërin, Abaz  Ermenjin, Hasan Dostin, Vasil Andonin, Lez Kurtin dhe figura madhore të historisë tonë, ashtu siç është lënë në hije rëndësia e Kongresit të Manastirit, e vërteta  mbi krijimin e organizatës Balli Kombëtar, Komitetit Shqipëria e Lirë dhe krijimin e Partisë Ballit Demokrat si e para parti politike konservatore e krijuar  nga Mit’hat Frashëri dhe shqiptarët në mërgim”, tha ai.

Ai shtoj se vlera e këtyre atdhetarëve ka mbetur e pluhurosur nga balta e diktaturës së djeshme.

“Ministria e Arsimit nuk ka asnjë marrëdhënie me Autoritetin e Hapjes së Dosjeve, me Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit të cilët bëjnë punë kërkimore shkencore për të diktuar studimet dhe të vërtetat historike, gjatë dhe mbas luftës. Ju nuk keni marrë qoftë dhe një personazh të vetëm nga ata që janë glorifikuar me pa të drejtë dhe ta ç’glorifikoni atë nga tekster mësimore”, tha ai.

Po ashtu, Roshi tha se nuk ka as një emër shkolle me emrin e Mit’hat Frashërit i cili ka hartuar programin e parë arsimor.

ATSH