ATSH/Taskforca antiCOVID ka vijuar punën në terren me masa të shtuara për kontrollin dhe monitorimin e zbatimit të protokolleve të sigurisë për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Në 24 orët e fundit Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka kryer 1 584 inspektime dhe monitorime në të gjitha qarqet e vendit.

“Nga kontrollet janë marrë në total 4 masa administrative: 2 masa me gjobë në furrë buke, call center dhe 2 masa administrative për pezullim aktiviteti në fasoneri dhe institucion publik; Masat administrative janë vendosur nga degët rajonale e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarkun Tiranë, Dibër, Gjirokatsër, Fier. Në total gjatë kësaj periudhe janë kryer rreth 112 mijë inspektime dhe monitorime dhe janë vendosur mbi 400 masa administrative”, ka informuar ISHSH.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ripërsëritur apelin drejtuar bizneseve që të mund të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë.

“Të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore. Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi”, apelon Ministria.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni’. z.tosku.//a.a/