ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka thënë se megjithëse janë marrë të gjitha masat për normalizimin e gjendjes në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, gjendja mbetet ende problematike.
“Me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe të pritjes në radhë të gjatë të qytetarëve dhe sidomos të fëmijëve, Policia e Shtetit do të vendosë pika kontrolli në akset rrugore që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar për të këshilluar dhe kërkuar nga qytetarët që të shtyjnë planet e udhëtimit drejt Greqisë për një moment më të përshtatshëm, ose të paktën të ndalojnë dhe të presin në kushte më të përshtatshme në qytetet ose fshatrat përgjatë rrugës, deri në krijimin e mundësive reale për kalimin e kufirit, pa orë të stërgjatura pritjeje”, tha Lleshaj.
Ministri i Brendshëm ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me forcat e Policisë dhe strukturat e tjera të angazhuara në menaxhimin e kësaj situate të pazakontë, të padëshiruar, por edhe të pashmangshme. z.tosku//a.a/