Flamurtari dhe Luftëtari janë dy skuadrat e radhës të traditës që bien nga Superliga, duke iu bashkuar ekipeve të tjera në Kategorinë e Parë, siç është rasti i Dinamos apo edhe i Elbasanit. Në javën e fundit të dy këto klube humbën në ndeshjet e tyre respektive dhe siguruan matematikisht edhe rënien nga kategoria, ndonëse janë ende shumë javë për t’u luajtur.

Vlonjatët bien nga kategoria pas plot 14 vitesh në elitë, periudhë në të cilën fituan dy kupa të Shqipërisë dhe humbën një titull kampion në vitin 2010. Ndërkohë, Luftëtari rezistoi vetëm katër sezone në Superligë, madje duke marrë pjesë për herë të parë edhe në Kupat e Europës, por problemet kryesisht financiare të këtij sezoni, ia bën të pamundur qëndrimin në elitë. Me rënien nga kategoria të këtyre dy skuadrave, duket se Jugu i Shqipërisë “zhduket” nga harta e futbollit elitar në vendin tonë, me Superligën që kthehet në një ekskluzivitet të Veriut të Shqipërisë, pasi nga 10 skuadra, tetë janë mbi lumin Shkumbin.

Vetëm Skënderbeu dhe Bylisi, janë aktualisht pjesë e elitës që janë nën lumin Shkumbin, me mallakastriotët që gjithashtu ndiejnë rrezikun e rënies, pasi janë në zonën e ftohtë të renditjes. Duket se në futbollin e sotëm në vendin tonë, nuk po zhduket vetëm Jugu nga harta e elitës, por edhe vetë ekipet e traditës, të cilat nuk po gjejnë më vend mes 10 më të mirave të futbollit shqiptar. Përveç Dinamos dhe Elbasanit, në Superligë mungojnë edhe Apolonia, Lushnja, Tomori, Besa apo edhe Besëlidhja.

Ky është një shqetësim që është ngritur thuajse çdo sezon, por ende nuk është gjendur një zgjidhje që ekipet të cilat i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar dhe kanë një tifozeri të madhe, të rikthehen aty ku i takon. Gjithsesi, sezonin e ardhshëm Superliga nuk do të ketë në gjirin e vet Jugun e Shqipërisë dhe ekipet e traditës.