ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një konferencë të përbashkët virtuale me kryeministrin Rama dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha se më shumë se 200 familje në banesa individuale dhe 2882 familje të tjera në pallate përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre në Tiranë.

Velija u shpreh se “të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit të kaluar kanë nisur këtë javë të marrin grantet për të rregulluar banesat e dëmtuara në kryeqytet. Më shumë se 200 familje në banesa individuale dhe 2882 familje të tjera në palate përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se ky është vetëm loti i parë ndërsa këtë javë ezaurohen edhe 3100 dosje të tjera që kanë të bëjnë me çështjen e tërmetit.

“Janë skualifikuar në total 300 dosje, një numër minimal krahasuar me aplikimet totale ndërsa burokracitë minimale dhe të thjeshtuara njësoj si me bonusin e qirasë, kanë lehtësuar qytetarët. Farka do të jetë zona ku do të nisin këtë javë të rindërtohen 50 banesat e para individuale ndërsa 52 pallate në kryeqytet, do të prishen pasi janë klasifikuar të pabanueshëm”, tha më tej Veliaj.

Përballë interesimit të qytetarëve për dëmtimet e mëdha në ambientet e përbashkëta, kryebashkiaku Veliaj siguroi se kjo do të kryhet nga bashkia. Janë identifikuar 243 raste të ndërhyrjeve dhe puna do të nisë këtë muaj.

Veliaj informoi se qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët, për meremetimet e dëmeve të tërmetit, në një shumë totale afro 8 miliardë lekë ose 80 milionë USD. z.tosku//a.a/