ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini deklaroi nga foltorja e Kuvendit se “sa i përket mbështetjes arsimore të fëmijëve në nevojë është bërë një punë e hatashme për të arritur një sistem të barabartë për nxënësit në shkolla”.
“Natyrisht që nuk jemi aty ku duam dhe kemi shumë punë për të bërë por keni parasysh se përkundër presionit të madh, të hatashëm buxhetor që solli edhe tërmeti edhe pandemia, ne kemi ruajtur me fanatizëm të gjitha programet që sigurojnë qasje të barabartë në arsim. Libat shkollore do të jepen falas për të gjithë nxënësit e klasave 1 deri në 7, plus që kemi zgjeruar kategoritë e nxënësve në nevojë që u sigurohen deri në klasën e 12. Nxënësit romë dhe egjiptianë kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës dhe ne në këtë projekt duam që të lirojmë barrën financiare të familjeve të këtij komuniteti dhe të rrisim shanset që nxënësit të qëndrojnë në shkollë deri në fund të klasës 12”, u shpreh Shahini gjatë interpelancës në seancën e sotme plenare.
Ajo informoi se “nxënësit me aftësi të kufizuar sot kanë mësuesin ndihmës në shkollë që ndihmon të arrijnë potencialin e tyre maksimal në shkollë. Është tashmë një profesion i rregulluar me licencë”.
“Ne kemi mbi 1 mijë mësues ndihmës që u shërbejnë mbi 14 mijë nxënësve me aftësi të kufizuara në shkollë. Gjithëpërfshirja nënkupton edhe përfshirjen e nxënësve në parashkollor. Shqipëria zë vendin e parë në të gjithë rajonin me përfshirjen e nxënësve nga mosha 3 deri në 6 në shkollë. Pra kopshtet i kemi shumë mirë të zhvilluara në krahasim me vendet e tjera në rajon. Ka një impakt të madh në punësimin e grave. Gratë pasi që fëmijët të mbushin 3 vjeç mund të hyjnë në tregun e punës, shumë më herët sesa gratë e tjera në rajon dhe kjo ka një impakt të madh social në Shqipëri”, theksoi Shahini.
Më tej, Shahini preku edhe zbatimin e Paktit për Universitetin nga ku tha se “ky pakt ka një kosto shumë të madhe buxhetore por prapë e kemi ruajtur me fanatizëm përkundër presioneve buxhetore që na ka sjellë edhe tërmeti edhe Covid”.
“Të gjithë nxënësit që përfitojnë bursa që janë nxënës në nevojë, i kanë marrë bursat në kohë. Të tjerë kanë marrë përgjysmim tarifash. Pra, po vijojmë me të gjitha projektet që kanë impakt social dhe po i çojmë përpara përkundër sfidave. Ky ishte një vit i vështirë janë dëmtuar diku tek 96 shkolla në mënyrë më serioze dhe kanë pasur impakt në 40 mijë nxënës. I gjithë buxheti ynë në investime në shkolla, tashmë ka kaluar në investime të shkollave që do të rindërtohen për shkak të tërmetit. Kemi marrë edhe konfirmim nga ministri i Rindërtimit, edhe nga bashkia e Tiranës, ku pjesa më e madhe e këtyre shkollave do të mbyllen brenda këtij viti dhe unë po shpresoj që kjo rregullon një pjesë të madhe të problemeve me shkollat me dy turne që kemi pasur”, tha ministrja Shahini. /j.p/