ATSH/ Me hapjen e shkollave rritet në mënyrë të konsiderueshme edhe mundësia e transmetimit të virusit e cila është një sfidë më vete por moskthimi i nxënësve në bankat e shkollave ishte opsioni më i keq që do të sillte pasoja të rënda psikologjike tek fëmijët.

Kështu u shpreh kryeministri Rama gjatë takimit të mbajtur sot në ambientet e COD, me mësuesit e përzgjedhur për të regjistruar mësimet në RTSH Shkolla.

“Jemi në gjendje të ofrojmë një rrugë alternative mësimi për të gjithë nxënësit po sidomos në kushtet e sotme kur procesi arsimor është i sfiduar nga domosdoshmëria për të mbrojtur njëkohësisht edhe shëndetin e fëmijëve, familjeve dhe kjo është më e lehtë ta thuash sesa ta bësh pasi e dimë shumë mirë që me hapjen e shkollave rritet në mënyrë të konsiderueshme mundësia e transmetimit dhe patjetër që është sfidë më vete”, u shpreh kryeministri Rama.

Por, nga ana tjetër, tha ai, duke vlerësuar mirë nga të gjitha aspektet këtë vendim dhe duke parë çfarë kanë bërë të tjerët, sigurisht që opsioni i mbylljes së mëtejshme të shkollave ishte opsion më i keq dhe patjetër që do të shkaktonte një kosto tjetër sidomos psikologjike për fëmijët dhe me pasoja që që ne nuk jemi në gjendje t’i llogarisim dot deri në fund. “Të gjithë vendet  kanë marrë në konsideratë dhe i kanë vlerësuar si të paarsyeshme në raport me rrezikun që ka në vetvete edhe hapja e shkollave”, tha Rama.

Teksa renditi ndikimet pozitive që shtohen përmes mësimit të dhënë në një kanal televiziv, si një alternative plotësuese, Rama u shpreh se kjo u jep mundësi edhe nxënësve në zona të thella që të mund të verifikojnë dijet e tyre të marra në lënde të ndryshme. Po ashtu, sipas Ramës, kjo është një mundësi e mirë edhe për fëmijët e shqiptarëve jashtë kufijve.

“RTSH Shkolla, mendoj që ka një vlerë të madhe për të gjithë, të paktën në dy aspekte të tjera. Njëri aspekt është mundësia që i jepet çdo nxënësi kudo ku ndodhet në Shqipëri që të bëjë një verifikim të dyfishtë të mësimit që ka marrë dhe ta ndjekë mësimin edhe me një mësuese që nuk e njeh por që është një nga mësueset më të mira në Shqipëri dhe të plotësojë bindjen e vet për atë lëndë dhe mësim të veçantë”, u shpreh Rama.

“Nga ana tjetër kjo patjetër do të sfidojë pozitivisht dhe do të vendosë në presion pozitiv edhe mësuesit e tjerë te cilët në shkollat e vendit japin lëndët që jepni ju dhe që do të kenë parasysh faktin që të njëjtin mësim, nxënësit do të mund ta shohin në versionin e një mësuesi që është mësuese e një kalibri më të lartë që ne kemi”, tha ai.

“Kjo do të shtojë shumë një mundësi deri dje jo të madhe që sistemi është përpjekur ta kompensojë përmes trajnimeve, përmes aktualizimit të metodave të mësimdhënies pasi edhe vetë mësuesit e tjerë do të shtyhen që të bëjnë krahasimin e tyre sesi e japin lëndën e tyre”, u shpreh kryeministri.

“Me këtë kanal, ne do të lehtësojmë barrën e familjeve në zonat më të thella aty ku faktikisht për një mijë arsye është trashëguar sistemi i klasave kolektive që ne po i reduktojmë vijimësisht për t’i çuar deri në mbyllje dhe vetë sistemi nën drejtimin e ministrisë së Arsimit do të fillojë të adaptohet duke ndarë mësimin e lëndeve të caktuara në televizion dhe aktivitetet e tjera në shkollë”, theksoi Rama.

“Besoj që asnjëherë televizioni apo ekrani i kompjuterit apo celularit nuk e zëvendëson dot marrëdhënien e mësimdhënies dhe mësimnxënies në realitetin e prekshëm me mësuesit në klasë. Ka edhe elemente të tjerë që kanë të bëjnë me procesin e edukimit jo thjesht me transmetimin e një njohurie për një masë telespektatorësh. Pa diskutim, që ne këtë aspekt e arrijmë që me këtë kanal t’i ofrojmë të gjithë cilësinë më të lartë të mësimdhënies në Shqipëri dhe nga ana tjetër t’iu japim mundësi nxënësve në zonat e thella që kanë edhe imponimin e rrethanave që çojnë në klasa kolektive, që të bëjnë bëjnë në mjedisin e shkollës përkatëse aktivitete kolektive të natyrës së ndryshme nga aktiviteti intelektual i marrjes dhe dhënies së mësimit në një lëndë specifike”, u shpreh Rama.

“Kjo nuk është diçka që e bëjmë thjesht ne. Besoj që gjatë kësaj kohe ju jeni informuar për këtë përpjekje që është e njëjtë me vendet e tjera, Gjermania, Franca Italia për të përmendur disa por shumica e vendeve kanë hyrë në këtë rrugë dhe kanë shtuar shumë forcat për të dhënë mësimin jo vetëm online por edhe nëpërmjet televizorit. Është një risi e bukur e krijuar në rrethana të papritura por që ne na jep një frymëmarrje të re në procesin e mësimdhënies dhe nga ana tjetër do të ketë një vlerë të shtuar për fëmijët jashtë vendit, që do të mund t’i ndjekin mësimet në ekran pavarësisht se çfare gjeografie apo kontinenti janë’’, përfundoi kryeministri Rama. /j.p/