Ritmet e larta të emigracionit, që vitet e fundit ka përfshirë dhe forcën e kualifikuar, shoqëruar me plakjen graduale të popullsisë, po ushtrojnë gjithnjë e më shumë presion në tregun e brendshëm të punës.

Sektorët që po vuajnë më shumë mungesën e fuqisë punëtore janë shërbimet, sidomos turizmi, i cili pritet të udhëheqë dhe rritjen e pagave këtë vit, i ndjekur nga teknologjia e informacionit, sidomos programuesit.

Erald Pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo, një kompani e specializuar për punësimin, pohon se  si rezultat, në të ardhmen e afërt, punëdhënësit do të konkurrojnë për punonjës!

Kjo konkurencë, sipas Pashaj, do të sjellë zhvillime pozitive në treg. “Ata do te ngrenë pagat, përmirësojnë ndjeshëm kushtet e punës, rregullojnë orët e punës, zbatojnë kodin e punës, etj. Të gjitha këto do të vijnë si presion i tregut, i cili filloi të ndihet që në fillim të vitit 2019, duke u frenuar në 2020, por që erdhi në rritje në 2021 dhe pritet që të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat në 2022”.

Pritshmëritë janë që rritja e pagave të jetë më e lartë për sektorët që sot paguajnë pak, ku paga minimale sipas Pashaj nuk do të jetë më e ulët se 40 mijë lekë, nga 30 mijë lekë që është sot. Ndërsa për pagat e larta rritja pritet të jetë më e ulët. Pozitive janë pritshmëritë dhe për teknologjinë e informacionit, punonjësit e të cilës po kërkohen gjithnjë e më shumë.

Nga analiza e prirjeve gjatë vitit që shkoi, kërkesat që EPPC Albania ka pasur nga klientët tanë për kërkim dhe seleksionim stafi për ta, por edhe nga vëzhgimi i punësimit në tregjet e partnerëve në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Bullgari, Mal i Zi dhe Kosovë, Shqipëria në vitin 2022 do të përjetojë rritjen më të lartë të pagave, kryesisht nga 6% në 15%.tch