ATSH/ Drejtori i Bujqësisë në bashkinë e Korçës, Vullnet Gjolla tha për ATSH-në se, “programi IPARD II, me thirrjen e IV-të, që adreson grante për “Diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit”, është një mundësi më shumë për zhvillimin e turizmit rural në bashkinë Korçë”.
Në një prononcim për ATSH-në, Gjolla vuri në dukje se, Korça është tashmë një destinacion dhe model i turizmit gjithë vjetor.
Sipas tij, bashkia Korçë arrin të kryesojë në shkallë vendi për prodhimin e frutave dhe disa lloje të perimeve. Ndërsa ofron paketën e plotë turistike “Made in Korça” jo rastësisht, por sepse qeverisja vendore dhe bizneset, kanë ditur të ringrenë bukur traditat që e dallojnë nga qytetet e tjera me serenatat, lakrorët, kërnackat, turshitë, glikotë, petkat etj, krahas investimeve në strukturat tradicionale akomoduese, që e bëjnë Korçën një nga qytetet më të preferuara për vizitorët dhe turistët e huaj.
“Sot në fshatrat turistik, Dardhë, Voskopojë, Vithkuq, Hoçisht, Boboshticë, ashtu dhe brenda në qytet, gjenden mjaft njësi akomoduese, ose shtëpi që lëshohen me qira, por fluksit në rritje të vizitorëve, korçarët po i përgjigjen duke shtuar investimet në pika agroturistike ku ofrohet, akomodim, fjetje dhe ngrënie”, tha Gjolla.
Ai ftoi, fermerët, bizneset dhe banorët korçarë të aplikojnë për grante në Programin IPARD II, në sektorët e turizmit rural dhe të natyrës dhe atë të punimeve artizanale dhe industrisë së manifakturës.
“Nëse keni një shtëpi të vjetër dhe një ide të re biznesi, apliko tani për të ngritur bujtinën tënde, ku nuk do të mungojnë elementët tradicionalë, mikpritja dhe ushqimi bio”, theksoi Gjolla.
Ai i ftoj të gjithë ata që kanë një zanat, një eksperiencë, një dhunti, apo një dëshirë për të investuar në ngritjen e një biznes, të aplikojnë duke plotësuar plan biznesin në faqen zyrtare të AZHBR-së.
“Drejtoria e Bujqësisë Korçë, është e gatshme për të dhënë çdo informacion të nevojshëm përmes specialistëve të bujqësisë dhe turizmit pranë Bashkisë Korçë apo Njësive Administrative. Agroturizmi është kthyer tashmë në një lokomotivë në rritjen e ekonomisë në zonat rurale”, deklaroi Gjolla.



























