ATSH/ Parku Kombëtar i Qafështamës, 25 km në verilindje të qytetit të Krujës, është mbuluar nga flokët e dëborës, duke dhuruar një peizazh mahnitës për adhuruesit e natyrës.

Qafështama shumë pranë Tiranës dhe e aksesueshme në infrastrukturën rrugore, ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100, ndërthuret me vlerat kurative të mjedisit të pyllëzuar, si dhe me ato historike e kulturore.

Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik.

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Durrës ndau disa fotografi nga ky park i mbuluar nga dëbora, duke ftuar të apasionuarit pas alpinizmit ta vizitojnë atë në këto ditë dimri.

Guidat lokale, shtigjet e shenjuara, ngjitja në një lartësi deri në 1725 m, njohja me faunën e larmishme, panorama natyrore e detit Adriatik, liqeni i Bovillës, vargmali Krujë-Dajt, janë pika natyrore që preferohen nga vizitorët.

Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”.

Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafështamës që ka një frekuentim gjithëvjetor, ka një sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966.