Pas vizitës së përbashkët javën që shkoi të diplomatit amerikan Escobar dhe të ngarkuarit evropian Lajçak, i ngarkuari britanik për Ballkanin, Sir Stuart Peach, zhvilloi bisedime në Kosovë dhe Serbi.
Në dy javët e fundit pati intensifikim të vizitave të diplomatëve perendimorë në Kosovë e Serbi për të shtyrë përpara dialogun tashmë të pezulluar, për të arritur një marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve.
Pas vizitave të të ngarkuarit amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar dhe atij evropian për dialogun Mirosllav Lajçak, Kosovën e vizitoi edhe emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, i cili diskutoi me krerët e institucioneve të Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi.
Njohje reciproke
Takimi ishte me dyer të mbyllura, prandaj diplomati britanik nuk foli për mediat, ndërsa Presidentja Vjosa Osmani, në një njoftim tha se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohjen reciproke dhe se ky proces sipas saj, “duhet t’i trajtojë palët në mënyrë të barabartë”.
“Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhej në njoftimin e Mbretërisë së Bashkuar./DW
Top Channel



























