ATSH/ Në qytetin e Beratit ka përfunduar restaurimi i banesave “monument kulture” të familjeve Nova dhe Bilali në lagjen “Kala”.

Drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, Berat, Eugen Kallfani theksoi se “pas hartimit, miratimit të projektit me mbështetjen e IKTK-Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, përfundoi dhe faza e fundit e projektit të restaurimit të çatisë së familjes Nova, të qoshkut të banesës Bilali dhe të krejt fasadës së përbashkët të këtij monumenti interesant në lagjen Kala”.

Kallfani falënderoi pronarët e dy banesave për bashkëpunimin me shpresën se me bashkëfinancime midis shtetit dhe privatit të tjera punë të mira mund të realizohen.

Ndërhyrja restauruese konsistoi në çati me zëvendësimin e elementëve drusorë të degraduar, mbulim me letër katrama, restaurim fasade, suvatim çatmaje në ambientet e jashtme, restaurim dritareve, vendosje kolona qoshe dhe fashature horizontale.
Projekti i ndërhyrjes në këto banesa u hartua nga specialistët e DRTK-Berat.
Banesa Nova është monument kulture kategori e II dhe ndodhet përgjatë rrugicës që të çon tek çanaku.  Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatrea, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të kohës. /j.p/