Punësimi shënoi rritje vjetore me 8 % në sektorin e industrisë, me 1,7 % në sektorin e shërbimeve, ndërsa në sektorin e bujqësisë rritja vjetore ishte 2,8 %, duke reflektuar përmirësimin e aktivitetit ekonomik në vend.

Referuar anketës tremujore të Forcave të Punës, të publikuar së fundmi nga INSTAT, gjatë  periudhës janar-mars, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 5,9 %, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, dhe me 0,7 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2021.

Në tremujorin e parë 2022, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,3 %. Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2021, ndërsa u ul me 0,1 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11 % dhe për gratë 11,7 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e papunësisë është ulur me 0,7 pikë përqindje për burrat dhe me 0,4 pikë përqindje për gratë. /j.p/atsh