Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sqaruar urdhrin e ndalimit të publikimit të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, ku pretendon se i referohet vetëm një gazetari.

Në njoftimin për shtyp, SPAK sqaron se gazetari i Ora News, Elton Qyno ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimeve të gjykatës. Prokuroria thekson se urdhrin “Për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit  të akteve dhe përmbajtjes  së tyre’’ ia ka adresuar  vetëm një gazetari dhe për arsyen e nxjerrjes së sekreteve.

“Nisur  nga  interpretimet e bëra në media, lidhur me urdhërin  e prokurorëve të  Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 14.06.2022 ‘’Për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit  të akteve dhe përmbajtjes  së tyre’’ sqarojmë se ;

Ky urdhër  i është komunikuar në datën 16.06.2022 gazetarit E.Q, kundrejt nënshkrimit  për marrjen dijeni,  pasi gazetari  ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimit të gjykatës me objekt  caktimin e masave të sigurimit personal ‘’arrest në burg’,  në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 dhe që në përputhje me nenin 295/a/4 të Kodit Penal përbëjnë akte sekrete  të procedimit penal nr.75/2022.

Sqarojmë se  Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, këtë urdhër  ia ka adresuar  vetëm një gazetari dhe për arsyen konkrete të sipërcituar.

SPAK urdhëroi ndalimin e publikimit të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt duke kërcënuar me burgosje gazetarët. Shkresa u bë publike sot nga gazetari i Ora News Elton Qyno, i cili u paralajmërua nga tre prokurorët e posaçëm të ‘Plumbit të Artë’ që vijon të ketë në arrati disa nga personazhet kyç të hetimit.

Top Channel