Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), ka vijuar përgjatë muajit qershor informimin dhe ndërgjegjësimin e bizneseve për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike, përmasat dhe trashësia e të cilave nuk janë konform me kriteret ligjore të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Kryeinspektori i ISHMT-së, Gazmend Osmani bën të ditur se përgjatë muajit qershor nga trupat inspektuese të ISHMT-së, janë inspektuar 127 subjekte, të cilat kanë qenë kryesisht markete apo subjekte që tregtojnë apo importojnë detergjentë.
“Përzgjedhja e subjekteve është bërë duke kombinuar inspektimet për kontrollin e zbatimit të kritereve ligjore për instrumentet matëse, parapaketim, detergjentët, mbrojtjen e konsumatorit me informimin dhe këshillimin e këtyre subjekteve, mbi detyrimet që kanë në kuadër të vendimit të Këshillit të Ministrave, për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike mbajtëse dhe qeseve oxo-degradueshme dhe oxo-bio të degradueshme”, deklaroi Osmani.
Gjithashtu, Kryeinspektori theksoi se nga ana e ISHMT-së është bërë edhe sensibilizimi në rreth 156 markete, dyqane rrobash dhe dyqane të tjera të shitjes me pakicë.
Sipas Osmanit, qëllimi i këtij ligji është garantimi i mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të njeriut nga pasojat e përdorimit të qeseve plastike, reduktimi i sasive të qeseve plastike të hedhura ngado në mjedis, e cila do të sjellë, më pas, reduktimin e kostos së menaxhimit të tyre si dhe minimizim të ndikimeve të mundshme negative në mjedis dhe në shëndetin e njeriut.
Prej datës 1 qershor, operatorët ekonomikë ndalohen të përdorin ose ofrojnë qese plastike mbajtëse me përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi (pa përfshirë gjerësinë e palosjeve) me kapacitet mbajtës më të vogël se 10 kg, me trashësi nën 70 mikron.atsh


























