Plazhet në zonën e Gjirit të Lalëzit që prej vitesh janë shndërruar në oazin e pushuesve ditor të banorëve të kryeqytetit.

Me infrastrukturë të dedikuar kryesisht për familje mesatare dhe nën këtë nivel, këtë sezon ato janë bërë të papërballueshme.

Përveç naftës çmimet e çadrave dhe shërbimeve të tjera janë rritur së paku me 60% këtë sezon.

Shpenzimet ditore për një person që udhëton nga Tirana me automjetin e tij në një nga plazhet më të lira të Shën-Pjetrit në zonën e Gjirit të Lalëzit arrijnë 3500 Lekë nga 2100 Lekë që ishin vitin e kaluar, nëse merren në konsiderate shpenzimet minimale ( karburanti, çadra, një kafe +ujë).

Për të përshkuar pak më shumë se 80 kilometra nga Tiranë në Lalëz ( vajtje+ardhje) makinë mesatare i duhen rreth 2500 Lekë karburant nga rreth 1500 Lekë një vit më parë. Shpenzimet për naftën janë rritur së paku me 66% në krahasim me vitin e kaluar.

Çmimi një çadre është rritur me 60%, në 800 Lekë në rastin më të mirë nga 500 Lekë që ishte vitin e kaluar. Gjithashtu çmimet janë rritur edhe baret dhe restorantet. Një kafe e shoqëruar me ujë kushton së paku 30% më shtrenjtë se vitin e kaluar.

Kostot e larta të plazheve popullore që frekuentohen nga shtresa mesatare e kryeqytetit, po i kthejnë ata në plazhe “luksi”. Për shkak të çmimeve të larta, frekuentimi i tyre është ulur ndjeshëm.

Administratorët e plazheve pohuan se numri i frekuentuesve në fundjavë ka rënë së paku me 50% për qind, duke i çliruar ato që kanë mundësi të përballojnë kostot, prej trafikut dhe mbipopullimit. Por, sipas tyre rritja ishte e pashmangshme prej rritjes së qirave, lëndëve të para etj.tch