Policia Rrugore e Elbasanit ka vijuar kontrollet me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës, për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njoftoi sot se, gjatë një jave, si rezultat i shtimit të kontrolleve me dragera, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë denoncuar në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, shkeljet e konstatuara, janë arrestuar 9 drejtues mjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë 10 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë pezulluar 39 leje drejtimi, nga të cilat 20 për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit dhe 19 për shpejtësi tej normave të lejuara.

Janë vendosur 1164 masa administrative, konkretisht: 385 masa për parakalime të gabuara; 40 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 15 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit: 30 masa për mos vendosjen e kaskës mbrojtëse: 19 masa për tejkalim shpjetësie; 14 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit; 4 masa për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore, si dhe 657 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor, të cilat janë burim aksidenti.

Kontrollet do të vazhdojnë çdo ditë, me qëllimin e vetëm, parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës.

Policia Rrugore e Elbasanit falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Digjital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë.