Një litër naftë tregtohet aktualisht me 252 lekë për litër, afër nivele maksimale historike prej 265 lekë për litër, të arritura pak javë më parë.
Që prej fillimit të muajit mars, kur nafta filloi të rritej me shpejtësi në tregun e brendshëm, për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria krijoi Bordin e Transparencës, që vendos periodikisht çmimet e shumicës dhe të pakicës të naftës, benzinës dhe gazit, sipas një formule që merr për bazë çmimet e blerjes në bursa, taksat, kostot operative dhe një marzh fitimi.
Me gjithë ndërhyrjen e bordit, çmimi i naftës ka vijuar të rritet vazhdimisht, duke reflektuar ndryshimet në bursa. Që nga krijimi i Bordit, kur karburanti tregtohej me rreth 230-235 lekë, nafta është shtrenjtuar edhe me 7-9%.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve tha për “Monitor” se fiksimi i çmimeve nga Bordi vetëm sa ka qenë në dëm si të kompanive, ashtu dhe të konsumatorëve, teksa u ka dhënë operatorëve më pak mundësi atyre të blejnë me eficiencë, duke bërë që çmimet e fiksuara të jenë realisht më të larta sesa do të ishin nëse tregu do të lihej i lirë. “Për shkak të ndërhyrjeve të Bordit, çmimi i naftës në tregun vendas është të paktën 5% më i shtrenjtë sesa do të ishte nëse do të vendosej vetë nga tregu”, tha Shoqata. Sipas këtyre vlerësimeve, çmimi i naftës sot do të ishte 240 lekë për litër, nga 252 lekë, që është aktualisht, apo 12 lekë më pak për një litër.
Po falimentojnë të vegjlit dhe po rritet evazioni
Shoqata thotë së kjo ndërhyje në çmime po dëmton më shumë kompanitë e vogla, që po i çon drejt falimentimit.
Ndërkohë operatorët pohojnë se është rritur evazioni, sidomos nga pikat e vogla nëpër rrethe. Ndryshimi i çmimeve po i falimenton të vegjlit, se nëse kanë gjendje me çmim të lartë dhe Bordi ditën tjetër ul çmimin, kjo po bën që ata të manovrojnë me sasitë e deklaruara në pompa.
Top Channel


























