Eva Buzo ka ndërprerë nismën e saj për të përshkuar me notë 91 km nga Otranto deri në Vlorë. Pas rreth 28 orësh në det të hapur, Buzo aktualisht ndodhet në reanimacion në ambientet e Spitalit të Vlorës.

Fjalët e para të thëna prej saj kanë qënë se “jam në plazh”, çka tregon se nuk ka qënë e vetëdijshme për situatën ku ndodhet. Ajo gjendet në kujdesin e mjekëve, në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërprerja e garës rreth 20 minuta më herët erdhi pasi atletja pësoi disa komplikacione në shëndet gjatë sfidës për të kaluar me not Otranton. Top Channel raportoi më herët se Buzo kishte probleme në të folur, aqsa nuk mund të shprehej lirisht pasi gjuha i ishte enjtur nga kripa e tepërt në pjesën e gojës.

Ekipi që monitoronte gjendjen shëndetësore të avokates, ka vendosur që tërheqja e saj në momentet e fundit të sfidës ishte tepër e nevojshme.

Megjithëse nuk e përmbylli dot rrugtimin, Eva Buzo ja doli me sukses të rezistonte 28 orë në det të hapur, duke u kthyer në të parën grua shqiptare që përshkon me not një distancë të konsiderueshme.

Idenë për të ndërmarrë këtë iniciativë, Eva e ka patur gjatë periudhës së izolimit nga pandemia, kur duke kërkuar në Google Maps disa vende të mundshme për të notuar, u ndal në distancën midis Italisë dhe Shqipërisë.

Rrugëtimit me not që sipas parashikimeve do të zgjaste 35 deri në 40 orë, u ndërpre në orët e fundit ndërsa Buzo po iu afrohej gjithnjë e më shumë brigjeve tona.

Top Channel