TIRANË, 11 qershor/ATSH/ -Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli në një intervistë televizive për prioritetin madhor të Federatës, futbollin e femrave.

Presidenti Duka shpjegoi strategjinë e FSHF-së për 5 vitet e ardhshme dhe mënyrën se si do të mbështetet financiarisht futbolli i femrave në mënyrë që të masivizohet dhe të rritet pjesëmarrja e vajzave në këtë sport.

Ndër të tjera kreu i qeverisë së futbollit theksoi se një nga synimet kryesore është që futbolli të mos shihet më si një lojë mashkullore, por si një lojë kolektive, një lojë për të gjithë shoqërinë pa dallime gjinore.

“Futbolli është i bukur, shqiptarët e duan dhe e gjithë shoqëria në tërësi e do këtë sport, por në disa vende të Europës dhe të botës akoma shihet si një lojë mashkullore. Synimi jonë është që ta bëjmë futbollin një lojë kolektive, një lojë për të gjithë shoqërinë pa dallime. Pikërisht për këtë, në një vend relativisht të vështirë në aspektin e mentalitetit, ne kemi bërë projekte dhe strategji për ta zhvilluar dhe për të afruar sa më shumë femra në futboll. Vërtetë ne e kemi patur, le të themi prioritet, por gjithsesi nuk kemi orientuar buxhetet tona kryesisht te futbolli i femrave deri më sot. Pa një mbështetje financiare është e vështirë dhe në këtë lloj “lufte” dihet tashmë që FSHF është e vetme”, tha Duka.

“Ajo çka kemi vendosur në mënyrë të qartë është që ne kemi orientuar mbi 20% të buxhetit vjetor të Federatës për futbollin e femrave, që konsiston në pagesat direkte të të gjitha vajzave që luajnë futboll në nivelin profesionist në Shqipëri, në pagesa direkte të të gjithë trajnerëve edhe nëpër shkolla, jo vetëm në ekipet amatore, duke i furnizuar ato, duke i mbështetur me uniforma, me topa, me gjithçka tjetër. Sepse në nivelin shqiptar realisht jemi larg nivelit sportiv mashkullor me atë femëror, por ta afrojmë për të tentuar barazimin e nivelit me futbollin e meshkujve”, u shpreh Duka.

“Vetëm për edicionin e ardhshëm është përcaktuar një buxhet afërsisht rreth 700-800 mijë euro vetëm për të paguar futbollistet dhe trajnerët. Përveç këtyre do të ketë edhe kosto të tjera, sepse siç thashë është mbi 20% të buxhetit të Federatës, por nuk do të jenë vetëm këto”, u shpreh ai.

“Do të jenë edhe kriteret e licencimit, që ne do të vendosim për futbollin e meshkujve për të kondicionuar zhvillimin e futbollit të femrave. Që do të thotë se një klub i Kategorisë Superiore pas dy edicionesh nuk mund të marrë pjesë në kampionatin shqiptar e as në kupat e Europës nëse nuk do të ketë një skuadër femrash. Kjo, por edhe disa kushte të tjera, që në një farë mënyre ta bëjmë të detyrueshëm, por jo vetëm kaq”, tha Duka.

“Ajo që duhet të bëjmë, sigurisht me ndihmën e të gjithë shoqërisë shqiptare, t’i bindim prindërit dhe vajzat që të afrohen me futbollin, sepse akoma jemi në një luftë me mentalitetin. Pra, një pjesë e vogël e shoqërisë shqiptare e pranon që vajzat luajnë futboll ose mund të them më shumë se gjysma nuk e pranon që vajzat luajnë futboll, por përveç kësaj ne duhet t’i krijojmë edhe kushte mbase më të mira sesa ato të djemve, sepse kuptohet janë më delikate femrat dhe kanë nevojë për kushte akomë më të mira, të cilat ne në projektet dhe strategjitë tona i kemi parashikuar që t’i realizojmë”, tha Duka.

“Vajzat e duan futbollin, vajzat e ndjekin futbollin dhe ne e kemi për detyrë t’i krijojmë kushte që ato ta luajnë futbollin dhe ashtu siç e duan edhe ta ushtrojnë futbollin. Duhet të luftojmë në të njëjtën kohë, dhe për këtë na duhet edhe ndihma juaj dhe e të gjithëve, të luftojmë me mentalitetin, që meshkujt nuk kanë më shumë të drejta se sa femrat, për më tepër për të luajtur futboll. Madje, për mendimin tim femrat në shumë fusha janë edhe më të suksesshme se sa meshkujt”, tha Duka.

ATSH