/ATSH-AA/ – Vincenzo Spadafora, ministri i Sportit të Italisë, deklaroi se sezoni në Serinë A mund të rinisë më 13 ose 20 qershor, pas ndërprerjes në muajin mars për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Vendimi për rinisjen e kampionatit në Serinë A do të shpallet të enjten, pas përvojës së Bundesligës gjermane, që filloi më 15 maj.

“Po punojmë për dy data të mundshme për fillimin e ndeshjeve të Serisë A, 13 ose 20 qershor. Protokolli për vazhdimin e sezonit është gati dhe është shumë i ngjashëm me atë të rënë dakord për stërvitje. Të enjten, do të vendosim nëse dhe kur do të vazhdojmë”, tha Spadafora para medieve italiane.

Seria A u ndërpre më 9 mars për shkak të pandemisë globale të koronavirusit. Pas 26 javëve të luajtura, Juventus është në kryes të tabelës me 63 pikë, një më shumë se skuadra e Lazios./  /os/