TIRANË, 9 qershor/ATSH/- Skuadra e “Bylisit” ka marrë lajmin e mirë se, futbollisti Eridon Qardaku ka rezultuar negativ edhe në tamponin e dytë sa i takon infektimit me COVID-19.

Shkodrani i Bylis vuri në dyshim për një moment vazhdimësinë e ndeshjeve të kampionatit, Superligës, pasi para një jave rezultoi pozitiv në një nga testimet e zhvilluara tek ekipi ballshiot, por pas ribërjes së testimit ai doli negativ, ashtu si dhe pjesa tjetër e skuadrës. Bylis luajti ndaj “Tiranës” mesjavën e shkuar dhe për këtë arsye edhe lojtarët e ekipit kryeqytetas bënë testimet ku të gjithë rezultuan negativë. Tashmë një javë pas tamponëve të realizuara më herët, u realizua dhe tamponi i dytë tek Qardaku.

“Lojtari ynë Eridon Qardaku ka kryer sot tamponin e dytë dhe ka rezultuar negativ. Në fakt pritej, pasi edhe përgjigja pas tamponit të parë ka qenë negative! Rikthimi i tij me grupin sigurisht që shton organikën dhe rrit cilësinë në skuadrën tonë në prag të sfidave të radhës!”,- njoftoi klubi ballshiot.

ATSH