ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta Meta dekoroi basketbollistët e shquar shqiptarë Luan Shatku (pas vdekjes) dhe Agim Lahi.
Meta vlerësoi me anë të një ceremonie të veçantë të mbajtur në Kopshtin e Gjelbër të Institucionit dy basketbollistë të shquar shqiptarë.
Presidenti Meta dekoroi Luan Shatkun (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin, përkushtimin dhe veprimtarinë e suksesshme, si lojtar basketbolli i skuadrave ‘Vllaznia’, ‘Partizani’ dhe Ekipit Kombëtar. I dalluar për lojën cilësore si sportist i niveleve të larta dhe i shquar në karrierën e tij si pedagog matematike, burim frymëzimi për të gjithë brezat e rinj.”
Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti i Republikës vlerësoi zotin Agim Lahi, me motivacionin: “Për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit të basketbollit, si titullar i ekipeve ’17 Nëntori’,‘Vllaznia’, ‘Studenti’ dhe Ekipit Kombëtar. Shembull i harmonisë të një sportisti të shquar dhe intelektuali të dalluar”.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, miqve, kolegëve sportistë, si dhe të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh i lumtur të vlerësoj dy personalitete sportive të cilët, tha ai, “me punën e tyre kanë ngritur lart jo vetëm vlerat e basketbollit, por edhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqërinë tonë si modele të qytetarisë”.
“Është kënaqësi e veçantë të nderoj me titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’ Luan Shatkun, basketbollistin dhe intelektualin e shquar, një nga kampionët e njohur të basketbollit shqiptar. Me prejardhje nga Dibra e Madhe e gjithë familja Shatku pati problemet e saj gjatë periudhës së kaluarës. Dhe jo vetëm kaq, por edhe vetë Luani përjetoi kufizimet e tij duke mos pasur mundësinë për të luajtur në ndeshjet jashtë vendit. Megjithatë i gjithë komuniteti i basketbollit e veçanërisht sportdashësit shkodranë e kujtojnë gjithmonë Luan Shatkun për fizikun e tij gjigand, si edhe për forcën e personalitetin e tij”, tha Meta.
“Në vitin 1965 ai ishte lojtar i ekipit Kombëtar në Ballkaniadën e Basketbollit në Tiranë, ku u dallua për lojën shembullore. Po atë vit ai do të luante me ekipin e ‘Partizanit’, në krah edhe të të mirënjohurit Agim Fagu. Pas vitit 1969 Luani nuk vazhdoi më me ekipin kombëtar, për arsye të situatës politike dhe kufizimeve që ajo sillte. Ai u nda para kohe nga jeta, kur ishte vetëm 50 vjeç, duke lënë pas një emër shumë të njohur dhe shumë të vlerësuar në historinë e basketbollit shqiptar”, u shpreh Meta.
“Po kështu kam kënaqësinë të nderoj me titullin ‘Mjeshtër i Madh’ zotin Agim Lahin, një tjetër basketbollist i madh, një njeri i respektuar dhe një personalitet i spikatur i sportit tonë. Agim Lahi është cilësuar nga të gjithë si basketbollisht dhe qytetar karizmatik i asaj kohe, lojtar i formacioneve kryesore i skuadrave më të mira si ‘17 Nëntori’, ‘Vllaznia’, ‘Partizani’, ‘Studenti’ dhe ekipi kombëtar, duke përfaqësuar basketbollin tonë në shumë gara të rëndësishme ndërkombëtare ballkanike dhe evropiane”, tha Meta.
“Agimi me performancën si lojtar shtatlartë por edhe me gjithë përkushtimin e tij ndaj basketbollit ka qenë dhe mbetet një vlerë e çmuar e komunitetit të basketbollit dhe sportit në vendin tonë. Agim Lahi përveç rezultateteve të larta në basketboll, ka një kontribut të spikatur edhe me vlerat e tij si inxhinier dhe pedagog në fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit. Puna dhe studimet e tij në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit janë karakterizuar gjithmonë nga një vullnet i madh ndaj studimeve të thelluara, duke demostruar profesionalizëm, kulturë dhe angazhim qytetar”, shtoi Meta.