ATSH- A. Fortuzi/- Renaldo Kalari do të jetë në krye të “Partizanit” deri në fund të këtij sezonit. Skuadra e kuqe ka zyrtarizuar shkarkimin e teknikut Adolfo Sormani, i cili për shkak të frikës nga COVID-19 nuk ishte i pranishëm në derbin mes “Tiranës” dhe “Partizanit”, që u luajt fundjavën e shkuar dhe që u mbyll me rezultatin 1-1.
Shkak që Sormani nuk mori pjesë në derb ishte fakti se 5 lojtarë të kuq rezultuan pozitiv me koronavirus. Së bashku me Sormanin janë larguar edhe dy pjesëtarë të stafit Giovanni Mazzella dhe Gabriele Façia.
“FK Partizani njofton sot ndërprerjen me efekt të menjëhershëm të bashkëpunimit me trajnerin Adolfo Sormani dhe dy pjesëtarët e stafit Giovanni Mazzella dhe Gabriele Faccia. Klubi 16-të herë kampion i Shqipërisë në tre ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, do të drejtohet nga zv.trajneri i ekipit Renaldo Kalari.”
Kalari do debutoi në sfidën e radhës ndaj “Teutës”. Teksa në total do drejtoi të kuqtë në tre sfida, ndaj “Teutës” në transfertë, ndaj “Vllaznisë” në Tiranë dhe ndaj “Skënderbeut” në Korçë.