TIRANË, 11 qershor/ATSH/- Futbollisti i “Bylisit”, Eridon Qardaku është gati t’i kthehet jetës normale, pasi edhe në tamponin e tretë shkodrani i cili aktivizohet tek skuadra ballshiote ka rezultuar negativ sa i takon infektimit nga COVID-19.
“Po e nisim ditën me një superlajm!”,- theksoi të enjten në mëngjes skuadra e “Bylisit”. “Eridon Qardaku ka kryer edhe taponin e tretë, duke u konfirmuar negativ, e tashmë do t’i rikthehet jetës normale”,- njofton skuadra ballshiote.
Me këtë mesazh, klubi i “Bylisit” njofton se futbollisti 19-vjeçar është përfundimisht i pastër nga COVID-19 dhe mund të vijojë normalisht stërvitjen me ekipin. Futbollisti fillimisht rezultoi i infektuar nga koronavirusi i ri, duke vënë në diskutim edhe rifillimin e Superiores, pikërisht ndeshjen Bylis-Tirana, por fatmirësisht ai nuk kishte infektuar asnjë shok tjetër të skuadrës dhe tashmë edhe vetë është i shëruar.
Por pas pozitivitetit, Qardaku ka kryer dhe tre tamponë të tjerë, duke rezultuar negativ. Tashmë shkodrani do t’i bashkohet pjesës tjetër të grupit.
ATSH